Bashkitë e zhytura në borxhe/ Vora më keq nga të gjitha. Shkodra me 0 për qind detyrime

8 February 2022, 20:40Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Bashkitë e zhytura në borxhe/ Vora më keq nga të gjitha.

Varësi të lartë nga fondet e qeverisë dhe shumë borxhe. Kështu paraqitet gjendja financiare e gjashtë bashkive që pritet të shkojnë në zgjedhje të pjesshme lokale. 

Në vitin 2020 Bashkia e Vorës ka grumbulluar rreth 700 milionë lekë borxhe. Këto para janë marrë borxh për mirëmbajtjen dhe investime të papaguara.
Nga bashkitë e tjera vërehet se Durrësi dhe Dibra kanë pothuajse të njëjtin nivel borxhi.

“Bashkia Durrës ka aftësinë dhe kapacitetin t’i paguajë këto detyrime, ndërsa Bashkia Dibër paraqitet shumë e dobët në aspektin financiar", thotë Top Channel.  

Ndërkohë, Lushnja dhe Rrogozhina po ashtu janë në të njëjta nivele borxhi, por në vlera më të ulëta. Shkodra në kontrast me çdo bashki i ka në nivelin 0% detyrimet e prapambetura.

Sa i përket të ardhurave këto gjashtë bashki e kanë varësinë mjaft të lartë nga fondet e qeverisë. Renditjen e kryeson Dibra, e cila gati 95% të fondeve i merr nga buxheti i shtetit, ndjekur nga Lushnja me rreth 80%. Pas këtyre varësinë më të lartë e ka Rrogozhina me 80% të të ardhurave nga qeveria qendrore. Më pas vjen Shkodra me rreth 70% të fondeve ndjekur nga bashkia e dytë më e madhe në vend, Durrësi. Vora është bashkia me varësinë më të ulët pasi rreth 35% të fondeve i siguron nga taksat e veta.

Por, si shpenzohen këto të ardhura. Ekspertja Toska shprehet se shumica shkon për shpenzime të administratës dhe mirëmbajtjes:

“Bashkitë harxhojnë mbi 70% të buxheteve të tyre për shpenzime korrente, ndërkohë që vetëm 30% e këtyre burimeve shkon për investime. Ky është trendi mesatar vëzhguar në dhjetëvjeçarin e fundit.”

Vora dhe Rrogozhina kanë kryer në 2021-in më shumë investime për shkak të procesit të Rindërtimit, me qeverinë që ka alokuar shumë fonde për riparime dëmesh apo ngritjen e banesave të reja.


Video