
Erion Braçe mblodhi në interpelancën me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca të gjitha vërejtjet dhe pakënaqësitë që kishte shprehur më herët për gjendjen e vështirë, sipas tij, në të cilën ndodhet bujqësia shqiptare sot.
Deputeti socialist u ndal gjatë te deformimi i tregut, faktin që tregtarët fitojnë më shumë se fermerët, oligopolin në tregun e plehrave kimike, që sipas tij favorizohet edhe nga ligji dhe udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë dhe më pas renditi edhe kostot që kanë fermerët, duke marrë si shembull grurin.
“Unë do doja të bëjë një llogari të thjeshtë për 1 dynym grurë. Për grurin 3 mijë lek shkon mbjellja dhe frezimi, 1600 lek shkon fara, 11 mijë e 500 lek shkon plehërimi me DAP dhe URE, 4 mijë lek janë korrje dhe punë të tjera që janë të domosdoshme. Për këtë produkt totali i shpenzimeve është 20 mijë e 100 lek, ku gati 55 për qind e këtij totali të shpenzimeve shpenzohet për plehrat kimik. Rendimenti 5-6 kuintal për dynym e ardhura 15 mijë lek, 5100 lek humbje për fermerin”, deklaroi Braçe.
Me humbje, sipas llogarive që solli Braçe fermeri del edhe në rastet e kultivimit të misrit, për serat dhe për mbarështimin e bagëtive. Këto, tha Braçe, janë të gjitha arsyet se përse e gjithë ekonomia raportohet me rritje, ndërsa bujqësia me rënie.
“Në 3 mujorin e parë të 2021 ekonomia u rrit 5.53 për qind, ndërsa bujqësia u rrit me 0.01 për qind. Në 3 mujorin e dytë ekonomia u rrit me 17.89 për qind dhe bujqësia pësoi rënia 0.19 për qind në tremujorin e tretë ekonomia u rrit me 6.99 për qind ndërsa bujqësia u rrit me 0.05 për qind. Pra ekonomia është rritur, vlera e shtuar gjithashtu, por jo bujqësia”, u shpreh Braçe.
Deputeti socialist i Divjakës tha se ky paradoks përjashton nga rritja ekonomike 45 për qind të popullsisë. Ai kërkoi mennjëherë ndryshim të politikave në këtë sektor, pasi siç tha po humbet krahun e ri të punës.
“Natyrisht që ka arsye pse ndodh kjo, në bujqësi ka dy element të rëndësishëm, e para kosto e prodhimit dhe e dyta çmimi i produkteve në këtë sektor. Sot po ikën krahu i ri i punës. Po ikin të punojnë në ndërtim në Mal të Zi, ku marrin 40 euro dita. Këtu po ngel krahu i vjetër i punës, por edhe ai jo për shumë kohë për shkak se biologjikisht do largohen”, u shpreh Braçe.