Koncesioni i pullave fiskale, ‘biznesi parazit’ që gjobit me 65 mln euro sipërmarrësit shqiptarë

3 May 2024, 11:34Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Koncesioni i pullave fiskale, ‘biznesi parazit’ që gjobit me 65
Foto ilustruese

Qeveria vendosi të shtetëzojë shërbimin e pullave fiskale, duke hequr pas 11 vitesh një koncesion parazit që gjobiti bizneset shqiptare me gati 65 milionë euro shtesë në krahasim me kostot e këtij shërbimi në vendet rajonit.

Shërbimi i pullave fiskale shkon mesatarisht 3 euro për 1000 copë në Europë, 2.2 euro në Kosovë, ndërsa në Shqipëri deri më tani ofrohej nga kompania SicPa për 20 euro. Në një dekadë, ky koncesion arkëtoi gati 75 milionë euro, ndërsa nga bilancet e financiare të saj për të siguruar këtë shërbim nuk ka shpenzuar më shimë se 5-6 milionë euro.

Shqipëria ofron koncesionin më të shtrenjtë për pullat fiskale, madje ngarkon me kosto pulle fiskale edhe produkte që normalisht nuk trajtohen si të tilla në gjithë vendet e BE-së dhe rajonit si birra, duke ngarkuar me kosto të tepërta biznesin dhe konsumatorin.

Nga ky koncesion, buxheti ka arkëtuar ndër vite shifra modeste, prej 2 për qind të të ardhurave neto të kompanisë. Duke përllogaritur që, koncesionari ka realizuar një xhiro prej 80 milionë euro deri në vitin 2023, shteti ka përfituar vetëm 1.8 milionë euro.

Qeveria vendosi të mos e rinovojë këtë koncesion, që sipas vendimit të marrë të enjten do të ofrohet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë. 

 

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video