
Konfindustria mbështet vendimin e qeverisë për mospërsëritjen e koncesionimit privat të pullave të akcizës dhe mbetjen në zotërim të shtetit. Në një njoftim për mediat konfindustria thekson se “Koncesioni privat i pullave të akcizës i ka kushtuar më shumë afër 150 milionë euro kosto të paarsyeshme shtesë ekonomisë, bizneseve dhe qytetarëve shqiptare dhe pa asnjë ndikim të prekshëm në arritjen e qëllimit të dhënies së saj”.
Po kështu Konfindustria i kërkon qeverisë, që krahas mbajtjes në pronësi shtetërore të aktivitetit të pajisjes me pulla fiskale të mallrave të akcizës të rishikojë edhe ujen e cmimit të tyre me të paktën 5 herë nga vlera e sotme. Është e papranueshme, që kosto për vendosjen e pullave të akcizës në Shqipëri të jetë gati 10 herë më e shtrenjtë se në Kosovë.
Konfindustria vlerëson, se duke marrë shembull nga vendimi i fundit i ekzekutivit, është e domosdoshme të kryhet rishikimi i gjithë praktikave koncesionare dhe PPP edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Shembujt e deritashëm tregojnë, se një pjesë e madhe e kontratave të koncesioneve dhe PPP të lidhura deri më sot, nuk arsyetohen ekonomikisht dhe financiarisht, që janë në interes publik dhe kanë shprehje të dukshme të korrupsionit.
Përllogaritet, se vlera e përgjithshme e kontratave koncesionare dhe PPP janë afër 5 miliardë euro, duke përbërë një barrë të rëndë për ekonominë kombëtare, buxhetin e shtetit, shkeljen e konkurencës ndërmjet bizneseve dhe mirëqënien e qytetarëve.
Çfarë vendosi qeveria për pullat fiskale?
Qeveria shqiptare ka vendosur të mos e rinovojë kontratën koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale. Ndryshimet në ligjin përkatës të akcizës janë nxjerrë për konsultim nga Ministria e Financave dhe përcaktojnë se nga data 1 janar 2025, pulla fiskale si letër me vlerë dhe monopol shtetëror do të prodhohet dhe shpërndahet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Ndërkohë, elementët e sigurisë dhe çmimi i pullës fiskale përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Ky projektligj vjen si rrjedhojë e përfundimit në datë 31 dhjetor 2024 të kontratës së koncesionit me shoqërinë “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k, sipas së cilës prodhimi, shpërndarja e monitorimi i pullave fiskale të akcizës aktualisht kryhet nga shoqëria koncesionare.
Pullat fiskale janë letra me vlerë dhe monopol shtetëror dhe vendosen në produkte të tilla si cigaret dhe pijet alkoolike. Përpara dhënies me koncesion, nga viti 2008 deri në vitin 2012, prodhimi i tyre është kryer nga një shoqëri aksionare në pronësi të shtetit, e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.
Sa i përket procedurës së porositjes së pullave fiskale, ajo do të mbetet e njëjtë edhe pas datës 1 janar 2025, por pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do ti paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave.