
Influencuesit në rrjetet sociale në Australi mund të dënohen deri me pesë vite burgim nëse japin këshilla financiare për ndjekësit e tyre.
Autoritetet publikuan rregulloren e re, sipas të cilës edhe influencuesit e botës online duhet të pajisen më parë me një licencë për të dhënë këshilla të tira.
Në vitin 2021, një vëzhgim i tregut doli në përfundimin se 33 për qind e të rinjve nga 18 deri në 21 vjeç ndiqnin influencuesit financiarë dhe 64 për qind e të rinjve pranuan se kishin ndryshuar qasje dhe plane financiare të ndikuara nga një influencues.
Autoritetet thanë se këshillat financiare online po konkurronin në mënyrë të pandershme zyrat dhe ekspertët e licencuar që paguanin detyrimet për këtë shërbim. Për këtë arsye, ligji u amendua për të përfshirë në këtë profesion edhe punën online.
Aleks Nikoliç, një prej influencerave më me ndikim në fushën financiare në Australi tha për The Guardian se vendimi i autoriteteve ishte i duhur dhe se tregu kishte nevojë që të rregullohej.
Rregullorja parashikon burgim edhe në rastet kur jepen informacione kequdhëzuese, të rreme apo manipuluese.