Ashtu siç pritej, Muhamet Rrumbullaku është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Vendimi është miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
"Muhamet Rrumbullaku plotëson të gjitha kriteret për të qenë në krye të Policisë së Shtetit", tha ministri Bledi Çuçi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Rrumbullaku më herë ka mbajtur postin e kreut të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, i cili u lirua nga kjo detyrë pak ditë më parë.
Ky emërim i Rrumbullaku vjen pas shkarkimit të ish-drejtorit Gledis Nano. Ai u shkarkua të mërkurën e kaluar me vendim të qeverisë, me argumentin se nuk i ka realizuar objektivat.
Kush është Muhamet Rrumbullaku
Muhamet Rrumbullaku u lind më 1 shkurt 1966 në qytetin e Tiranës. Ai është diplomuar “Specialist i Lartë Policie” në vitin 1988 pranë Akademisë së Policisë, ndërkohë që është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë dhe ka marrë titullin Jurist në vitin 2010. Gjithashtu ka edhe një Master Profesional në vitin 2011.
Z. Rrumbullaku ka patur një karrierë të gjatë në këtë profesion. Nga data 24/03/2022 me propozim të Ministrit të Brendshëm, Z. Bledi Çuçi, Kryeministri Edi Rama e ka emëruar si Drejtor i Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Më parë ai ka mbajtur pozicione drejtuese në policië e shtetit. Nga data 17/01/2019 deri më 23/03/2022 ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Ka mbajtur postin e Këshilltarit në Kabinetin e Ministrit të Brendshëm, ka mbajtur postin e Shefit të Seksionit për trajnimin dhe shkollimin e nivelit të mesëm e të lartë Drejtues, në Qendrën e Formimit Policor e shumë pozicione të tjera.
Gjatë qeverisë teknike të vitit 2017 , Rrumbullaku u emërua për disa muaj, këshilltar i Ministrit të Brendshëm nga radhët e PD-së, Dritan Demiraj.
Gjatë kohës që ishte në opozitë, PS e ka akuzuar Met Rrumbullakun për shoqëri me vrasës si pjesë të grupit të çiftelisë. Kjo, referuar fotos të tij në një drekë me Arben Frrokun, autorin e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj.
Fotoja ishte shkrepur tre ditë para se të ndodhte vrasja, në vitin 2014. Pavarësisht akuzave, Rrumbullaku u vu drejtor i SHÇBA dhe tashmë Drejtor i ardhshëm i Policisë së Shtetit.