Vijon puna e zjarrfikësve shqiptarë të angazhuar në luftë me flakët në Greqi.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njofton se zjarrfikësit shqiptarë në bashkëpunim me ata grekë kanë mundur të mbajnë nën kontroll flakët në një vijë prej 4 kilometrash.
Situata e zjarreve në Greqi paraqitet ende e rëndë, teksa kanë kaluar 9 ditë nga shpërthimi i vatrave masive në të gjithë vendin fqinj.
"Efektivët tanë të BMEC-së, prej orëve të para të mëngjesit të sotëm bashkë me një ekip zjarrfikësish grekë, kanë bërë të mundur izolimin e plotë dhe mbajtjen në kontroll të një vije zjarri rreth 4 km. Vlerësimet maksimale nga pala greke për punën e shkëlqyer që këta efektivë po bëjnë prej ditës së parë të operacionit në shtetin fqinj.
Krenarë për djemtë tanë që po punojnë me vetëmohim krah të gjitha ekipeve të tjera partnere, duke bashkuar forcat për të ndihmuar në shuarjen e flakëve tragjike që kanë pushtuar territorin grek", bën me dije Peleshi.