Zjarr në masivet pyjore të Gramshit, ndërhyjnë helikopterët për të frenuar flakët

21 September 2025, 09:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Zjarr në masivet pyjore të Gramshit, ndërhyjnë

Prej dy ditësh,fshati Bulçar në Njësinë Administrative Kodovjat, Bashkia Gramsh, është përfshirë nga një vatër masive zjarri, një ndër më të mëdhatë për muajin Shtator në qarkun e Elbasanit.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, duke rikthyer skena të ngjashme me ato të muajit Gusht 2025, kur qindra hektarë pyje u dogjën dhe pati pasoja të rënda.

Zjarri më i fundit në këtë zonë u shfaq në orët e para të mëngjesit të së shtunës dhe megjithëse një pjesë e tij është izoluar, situata mbetet ende alarmante.

Terreni i thyer malor dhe era e fortë kanë vështirësuar ndërhyrjen nga toka, ndërsa në ndihmë të forcave zjarrfikëse janë përfshirë helikopterë, të cilët po operojnë për të frenuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara dhe sipërfaqeve me rëndësi ekonomike.

Sipas Ilir Llapushit, Shef i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Bashkinë Gramsh, forcat zjarrfikëse, punonjës të bashkisë dhe vullnetarë kanë punuar pandërprerë gjatë gjithë fundjavës, por kushtet atmosferike dhe terreni i vështirë kanë bërë që përpjekjet për shuarjen e plotë të jenë tepër sfiduese.

“Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Ka qenë shumë i vështirë për t’u kontrolluar. Aktualisht jemi ende në operacione intensive për të shmangur përhapjen në zona të tjera të rrezikuara,” deklaroi mëngjesin e  të dielës Llapushi.

 


Video