Vrasja në Peqin tremb autoritetet, FNSH mësyn në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës

15 December 2023, 21:58Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vrasja në Peqin tremb autoritetet, FNSH mësyn në burgun e
Foto ilustruese

Pas vrasjes në burgun e Peqinit, Policia e Shtetit ka nisur një kontroll blic në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë. Tre mjete të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë shkuar drejt burgut të juglindjes së vendit, për kontrolle për armë dhe sende të paligjshme.

Kontrollet vijnë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në burgu e Peqinit, ku Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri një të dënuar tjetër dhe plagosi një tjetër.

Arben Lleshi është i dënuari me burgim të përjetshëm i cili mbeti i vdekur pas përleshjeve mes të dënuarve në burgun e Peqinit.

Autor i krimit është i dënuari tjetër me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj, i cili në vitin 2015 vrau dy turistë çekë në tentativë për t’i grabitur.

NGJARJA

I dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj, gjatë kohës që ka qenë në ambientet e ajrimit, është afruar pranë dritares së qelisë ku ndodhej i dënuari Arben Lleshi dhe ka qëlluar tre herë ndaj tij.

Për shkak të distancës së afërt, plumbat e qitur nga pistoleta e Mjacajt e kanë goditur në qafë dhe gjoks të dënuarin Lleshi, i cili edhe pse mori ndihmën e parë mjekësore nuk u mbijetoi dot plagëve, duke ndërruar jetë. Në momentin e konfliktit me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, ka mbetur i plagosur me armë zjarri edhe i dënuari tjetër, Indrit Shaqja.

Pas krimit, Sokol Mjacaj ka tentuar të mbajë peng punonjës të administratës së burgut të Peqinit, por ndërhyrja e forcave operacionale të Drejtorisë së Burgjeve, e pasuar edhe nga ato të forcave RENEA dhe Policisë së Elbasanit, e kanë neutralizuar dhe izoluar të dënuarin me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj.

Ky i fundit vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, në tentativë për t’i grabitur. Përveç forcave të shumta policore, në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i Elbasanit, i cili ka marrë në pyetje menjëherë të dënuarin Sokol Mjacaj, në lidhje me këtë ngjarje.

Përveç arsyeve të konfliktit mes të dënuarve Mjacaj dhe viktimës Lleshi, një tjetër moment i paqartë është edhe fakti se si është futur brenda ambienteve të burgut arma e zjarrit që ka rënë në dorë të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj.


Video