Mediat në Çeki i kanë kushtuar vëmendje ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku u ekzekutua një i dënuar dhe u plagosën dy të tjerë.
Kjo për arsye se autori i krimit është Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015, një ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik.
Mjacaj i armatosur me kallashnikov ndaloi çiftin e turistëve Michal Svatoš dhe Anna Kosinova pranë Thethit, në një tentativë grabitjeje që sipas tij përfundoi me ekzekutimin e të dyve.
“Shqiptari Sokol Mjacaj, i cili vrau dy turistë çekë në veri të vendit ballkanik në vitin 2015, qëlloi shokun e tij të burgosur dhe plagosi një tjetër ndërsa ishte në burg. Mjacaj vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e çiftit çek”, shkruajnë gazetat çeke.