
Viktima Erald Xhejo, autori Enedio Guri
Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim adoleshentin Enedio Guri, i cili më 14 gusht të vitit të kaluar qëlloi me thikë në zemër, 15 vjeçarin Erald Xhejo.
Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria bën me dije se ka dërguar për gjykim autorin e vrasjes së të miturit, babain e tij, Edison Gurin, xhaxhain, Roland Gurin si dhe mikun e të atit, Flori Çelën.
Mbi këta shtetas rëndojnë veprat penale: Enedio Guri akuzohet për veprat penale: ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ dhe ‘Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt ’parashikuar nga nenet 79/a/ë dhe 291 të Kodit Penal;
Edison Guri: për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’ parashikuar nga neni 301 i Kodit penal;
Roland Guri: për veprat penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, ‘Moskallëzim i krimit’ dhe ‘Përkrahja e autorit në krim’ parashikuar nga nenet 300, 301 dhe 302 të Kodit Penal; dhe
Flori Çela: akuzohet për veprat penale ‘Moskallëzim i krimit’ dhe ‘Përkrahja e autorit në krim’.
Nga hetimet rezultoi se ngjarja kishte ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit “Amar”, në fshatin Pirg, ku viktima ishte konfliktuar fizikisht me një tjetër të mitur, shtetasin Enedio Guri banues në të njëjtin fshat.
Nga këqyrja e pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë së lokalit, u konstatua se viktima dhe autori i dyshuar ishin përfshirë në një konflikt fizik. Në video shfaqet qartë se shtetasi Enedio Guri mbante në dorë një thikë, ndjek viktimën mes tavolinave të verandës dhe, pas një përleshjeje dhe rrëzimi në tokë, e godet me mjetin prerës, duke i shkaktuar plagën fatale.
Po kështu, nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, shtetasi Edison Guri babai i të miturit të akuzuar, rezultoi se pasi ka marrë dijeni për përfshirjen e djalit të tij në konfliktin e ndodhur në fshatin Pirg, nuk ka mbajtur një qëndrim bashkëpunues me organet e drejtësisë, por përkundrazi ka ndërmarrë veprime konkrete që kanë penguar zbulimin e plotë dhe të menjëhershëm të së vërtetës.
Nga analiza e deklarimeve të dëshmitarëve dhe provave filmike rezulton se shtetasi Edison Guri, në bashkëpunim me shtetasin Roland Guri (vëllai i tij dhe xhaxhai i viktimës) dhe shtetasi Flori Çela si dhe me vetë autorin, ka ndërmarrë veprime aktive të cilat synonin të krijonin një situatë të re faktike, me qëllim devijimin e vëmendjes nga ngjarja kriminale e ndodhur më parë.
Në të njëjtën kohë, rezultoi se babai i të miturit ka pasur dijeni edhe për fshehjen dhe manipulimin e provës materiale kryesore të krimit, konkretisht thikës së përdorur nga autori. Nga provat rezulton se kjo thikë nuk është sekuestruar në vendngjarje, por është marrë dhe më pas është larë nga vëllai i tij, shtetasi Roland Guri.