Vizita e ish-Sekretarit të Shtetit amerikan, Mike Pompeo në Tiranë është paguar nga kompania amerikane “Linden Energy", ndërsa siguria e tij është marrë përsipër nga qeveria e ShBA-ve. Lajmin e ka konfirmuar për mediat presidenti i Linden Energy, Stephen Payne.
Pompeo është kryetar i bordit të Këshillimit të “Linden Energy” dhe u shfaq në krah të kryeministrit Edi Rama gjatë firmosjes së një memorandumi mirëkuptimi mes kompanisë shqiptare të gazit, AlbGaz dhe kompanisë bullgare “Overgas” për zhvillimin e projekteve energjitike.
Kompania “Linden Energy” ka blerë 50% të aksioneve të kompanisë bullgare të gazit “Overgas” dhe marrëveshja u nëshkrua këtë të hënë. Presidenti i "Linden Energy", Stephen Payne dhe anëtari i bordit drejtues të Overgas, Matthew Bryza e cilësuan projektin e bashkëpunimit me kompaninë shqiptare AlbGaz si të rëndësishëm dhe të mbështetur nga qeveritë shqiptare dhe amerikane.
Kryeministri Edi Rama bëri me dije se kompania "Overgas" ka shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes terminalit që do të ngrihet në Vlorë.
Gjatë vizitës në Tiranë, Mike Pompeo ka qenë i pranishëm dhe në aktivitetin e organizuar nga ambasada amerikane kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, si dhe u nderua nga Universiteti i Tiranës me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” me motivacionin: “Si një njeri që mishëron tipare të larta të vlerave të lirisë dhe të demokracisë që frymëzojnë të rinjtë, studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencor shqiptarë, të cilët aspirojnë të përmbushin këto vlera”.