Një sherr masiv është regjistruar në Ksamil. Rreth 10 të rinj kanë sulmuar punonjësit e një karburanti. Pamjet e publikuara nga TCH tregojnë se persona të paidentifikuar kanë sulmuar punonjësit e karburantit me leva dhe me shkopinj.
Në sfond dëgjohen të bërtitura nga të pranishmit në vendngjarje dhe banorët e zonës. Ende nuk dihet se si ka nisur sherri apo se çfarë ka ndodhur saktësisht në hyrjen e këtij karburanti, por policia e Shtetit ka identifikuar një prej sulmuesve.
Emri i tij nuk është bërë publik, por mësohet se bëhet fjalë për një person me precedent penalë. Pritet që në vijim të zbardhen detaje në lidhje me këtë ngjarje.
Të pranishme në vendin e ngjarjes kanë qenë dhe dy turiste nga Zvicra që po pushojnë në jug të vendit, të cilat ndaluan në një pikë karburanti për të furnizuar dhe larë makinën. Turistet shprehen se u ndjenë të rrezikuara.
“Ne ishim këtu, pranë makinës. Ishin 11 njerëz ose më shumë që po sulmonin një burrë. Njerëzit telefonuan policinë. Ishte situatë e frikshme, ne kurrë nuk mendonim se në këtë vend turistik, në këtë qytet të vogël… ne erdhëm këtu për pushime dhe pamë këtë situatë. Ata djemtë vazhdonin të qëllonin dhe nuk ndalonin, dukej se nuk u interesonte shumë që këtu ishte plot me njerëz. Ne ecëm aty pranë dhe ata nuk u ndalën asnjëherë” -shprehet turistja.