Vetëvrasjet në burgje, Ulsi Manja paralajmëron kallëzime: Do verifikoj ankesat nga të dënuarit

6 May 2022, 16:05Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vetëvrasjet në burgje, Ulsi Manja paralajmëron kallëzime: Do

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje me të gjithë drejtorët e burgjeve dhe shefat e policive përkatëse për të bërë një analizë të situatës. Kjo mbledhje vjen pas vetëvarjes në komisariatin e Kavajës të 31-vjeçarit Ilvi Meta.

Në një postim në rrjetet sociale, Manja shkruan se ka vërejtur se problemet janë vetë drejtuesit dhe marrëdhënia mes tyre, teksa ka kërkuar rishikim urgjent të udhëzimeve, apo akteve të viteve më përpara, si dhe se çdo gradim, apo emërim nuk duhet të kalojë asnjë shkallë pa filtrin e pastërtisë së figurës.

Ministri i Drejtësisë paralajmëron Kallëzime penale të zinxhirit drejtues, deri tek abuzusit, për punonjësit që kanë neglizhuar kryerjen e detyrës pa arsye dhe janë lejuar për këtë. Gjithashtu ai parlajmëron dhe mbylljen e objekteve që shesin pranë drejtorive të burgjeve.

Ulsi Manja premton se do verifikojë të gjitha ankesat e ardhura në celularin e tij nga të dënuarit, një masterplan të sistemit duke shkuar drejt mbylljes së disa IEVP dhe krijimit të strukturave të mëdha në përshtatje edhe me hartën e re gjyqësore, si dhe rikonceptimin e menaxhimit të burimeve njerëzore edhe në bazë të qendrave të banimit.

Para drejtuesve të burgjeve, Manja ka dhënë afat për zgjidhjen e problemit të uniformave, trajtimit financiar dhe trajtimit ushqimor për stafin, ngritjen e një policie burgjesh model, bazuar në sistemin e karrierës dhe gradave, si dhe trajtimin me prioritet maksimal të punësimit në IEVP në bashkëpunim me sistemin privat.

Postimi i plotë:

Nëse Ministrinë e Drejtësisë do e shihja si një piramidë, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, do ta vendosja si themel dhe gurët e bazës së saj. Prandaj vëmendjen, prioritetet, por edhe kërkesën e llogarisë e kam disa fish më të lartë. Sot u përballa sy më sy me të gjithë drejtorët e IEVP-ve, së bashku me shefat e policisë përkatëse, në një analizë të gjerë, të thellë dhe me shumë fakte edhe në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe Drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Tërhoqa vëmendjen për:
1) Probleme të trashëguara, por në disa raste vërejta se problemi janë vetë drejtuesit dhe marrëdhëniet mes tyre.
2) Rishikimin urgjent të udhëzimeve, apo akteve të shumë e shumë viteve përpara, të cilat bien ndesh me vizionin tonë. Urdhërova ngritjen e një grupi pune për të punuar për kuadrin rregullator nënligjor dhe çdo akt të shihet në kuadër të rregullores së re.
3) Çdo gradim, apo emërim nuk duhet të kalojë asnjë shkallë pa filtrin e pastërtisë së figurës.


Paralajmërova për:
1) Kallëzime penale të zinxhirit drejtues, deri tek abuzusit, për punonjësit që kanë neglizhuar kryerjen e detyrës pa arsye dhe janë lejuar për këtë.
2) Mbylljen e objekteve që shesin pranë IEVP, duke nisur shumë shpejt zbatimin e strategjisë si në të gjitha vendet perëndimore. Projekti pilot nis në tre, ose katër IEVP menjëherë dhe më pas shtrihet në të gjitha IEVP.
3) Marrëdhëniet nepotike, komunikimin jo vetëm mes stafit, por edhe staf-persona në konflikt me ligjin, kujdesin e shtuar dhe rregullin për takimet pas heqjes së kufizimeve anti-kovid, menaxhimin e banorëve të IEVP nëpërmjet fjalës e jo mjeteve shtrënguese.

Premtova për:
1) Verifikimin në çdo IEVP personalisht të të gjitha ankesave të ardhura nga vetë të dënuarit në celularin tim, duke nisur me pyetjen e parë se ku e kanë gjetur celularin për komunikim.
2) Masterplanin e sistemit duke shkuar drejt mbylljes së disa IEVP dhe krijimit të strukturave të mëdha në përshtatje edhe me hartën e re gjyqësore.
3) Rikonceptimin e menaxhimit të burimeve njerëzore edhe në bazë të qendrave të banimit.


Dhashë afate për:
1) Zgjidhjen e problemit të uniformave, trajtimit financiar dhe trajtimit ushqimor për stafin.
2) Ngritjen e një policie burgjesh model, bazuar në sistemin e karrierës dhe gradave.
3) Trajtimin me prioritet maksimal të punësimit në IEVP në bashkëpunim me sistemin privat.

 


Video