
Testi i drogës për drejtuesit e mjeteve është "inaguruar" dhe në qytetin e Lezhës, ku është arrestuar një shofer 34-vjeçar. Në pranga është vënë shtetasi A. V., banues në Lezhë.
Sipas burimeve zyrtare, ky shtetas është konstatuar nga Policia Rrugore në qytetin e Lezhës, duke pozicionuar automjetin, në mënyrë të parregullt, në rrugë. Gjatë kontrollit rezultoi se ky shtetas nuk dispononte asnjë dokumentacion për mjetin.
Më pas, ai është shoqëruar së bashku me automjetin e tij në komisariatin e Lezhës dhe pas testit të drogës ka rezultuar se ai ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, 34-vjeçarit i është pezulluar leja e drejtimit për 12 muaj, i janë zbritur 10 pikë nga leja e drejtimit, si dhe është gjobitur me 15.000 lekë të rinj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.