
Një 52-vjeçar është arrestuar nga policia e Pogradecit, pasi akuzohet se ka kërcënuar me vrasje një person tjetër, pas sherrit me të. Në pranga është vënë shtetasi A. H., 52 vjeç.
Sipas burimeve zyrtare, pas një konflikti për motive të dobëta, 52-vjeçari ka kanosur me armë shtetasin R. B., 40 vjeç dhe më pas është larguar. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Buçimas, në afërsi të lokalit në pronësi të 52-vjeçarit.
Policia është vënë menjëherë në ndjekje të 52-vjeçarit dhe ka bërë të mundur arrestimin e tij. Gjatë kontrollit në banesën e këtij të fundit është gjetur një armë gjahu (çifte) dhe një sasi municioni luftarak.
52-vjeçari akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.