“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, nuk e kujtoj si e godita” - Zbardhet dëshmia e Sokrat Vatës për vrasjen e turistit

21 August 2026, 21:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, nuk e
Sokrat Vata

Gjykata e Sarandës caktoi sot masën e sigurisë “arrest në burg” për Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, i dyshuar për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil.

Në sallën e gjyqit, Sokrat Vata ka shprehur pendesë për ngjarjen dhe ka dhënë versionin e tij për përplasjen që përfundoi me vdekjen e turistit.

Ndërkohë, Sokrat Vata gjatë seancës gjyqësore fillimisht iu ka kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës dhe më ka treguar dinamikën e ngjarjes.

Ai ka deklaruar se në lokal ndodhej një grup turistësh francezë, të cilët po bënin zhurmë.

Sipas Vatës, shoku i tij u ka kërkuar të ruanin qetësinë, por turistët kanë vijuar me sharje dhe më pas ka nisur përleshja fizike.

Vata ka pretenduar se gjatë konfliktit, njëri prej turistëve kishte një thikë, të cilën ai ia ka marrë pasi e ka neutralizuar. Në këtë moment, sipas dëshmisë së tij, një prej turistëve e ka goditur me shkelm në nofull, duke e rrëzuar në tokë. Ai ka deklaruar se, ndërsa turistët kanë tentuar ta godasin sërish, ka lëvizur dorën instinktivisht për t’u mbrojtur, por nuk kujton se si e ka goditur viktimën.

“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, u shpreh ngushëllimet e mia, jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francezë ishin brenda në lokal, ata po bënin zhurmë. Shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, ata nuk u bindën, filluan të na shanin. Ju afruam më afër dhe u kërkuam sërish të mbanin qetësi, por ata filluan të na godisnin. Gjatë përleshjes fizike kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri nga ata kishte një thikë, e kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull. Aty jam rrëzuar. Ata kanë tentuar të më godasin sërish. Instinktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur. Nuk e kujtoj si e kam goditur, pasi isha nën shok. Nuk e dija nëse ndonjëri nga ata ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga tronditja jam larguar”, ka deklaruar Vata.

Ndërsa shtetasi turk Nuh Mahmutoglu ka deklaruar se njihej me Vatën, pasi kishin bashkëpunuar për turistët për shkak se ai komunikonte në gjuhën angleze.

“Vata më ka marrë në telefon në 6:30 dhe më ka kërkuar ndihmë që ta shoqëroja për Tiranë, pasi më tha se ishte rrëzuar nga motori”, deklaroi Nuh Mahmutoglu.

Pavarësisht qëndrimeve, Gjykata e Sarandës i la në burg.

 

 


Video