Skënder Hita betohet sot si drejtor i Policisë së Shtetit për një mandat 5-vjeçar, pas emërimit me vendim të qeverisë ditën e djeshme. Me propozim të ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, Skënder Hita zë tashmë vendin e Ilir Prodës pas largimit të tij nga detyra.
Ministri i punëve të Brendshme Besfort Lamallari vlerësoi figurën e tij për profesionalizmin dhe integritetin që ka treguar gjatë viteve të karrierës.
“Vlerësoj gjithë kandidatët që ishin të pranishëm. Lidhur me kandidatin fitues, jam i bindur që të gjithë ju këtu sot por edhe më gjerë, ndani të njëjtën bindje me mua se zoti Hita është njeriu i duhur për të udhëhequr Policinë në këtë moment të rëndësishëm. Është profesionist dhe me integritet”, u shpreh ministri gjatë fjalës së tij.
Vetëm 46 vjeç, Skënder Hita iu nënshtrua një konkursi mes 14 kandidatëve, të cilët kaluan në filtrin e Komisionit të Posaçëm në Ministrinë e Brendshme, në garën e hapur më 3 mars.
Hita ka shërbyer në polici nga veriu në jug, me karrierë në ngjitje në 10 vitet e fundit. Një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Policisë së Shkodrës në vitin 2021. Së fundmi, Skënder Hita drejtonte Fierin, qark i rëndësishëm me potencial krimi, por që vitin që lamë pas e mbylli me vetëm 2 vrasje, krim në familje.