
Majlinda Sula, motra e të riut shqiptar Saimir Sula, i cili vdiq në një spital në Spanjë dy vite më parë, ku kishte shkuar për COVID dhe doli i vdekur dhe pa zemër kërkon ende drejtësi.
Në një intervistë për News 24, motra e viktimës kërkon që shteti shqiptar t’i dërgojë një notë verbale ambasadës së Spanjës në Tiranë, në mënyrë që autoritetet spanjolle të kthejnë përgjigje për dy letër-porositë e dërguara më parë nga ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ministri aktual Ulsi Manja.
Ajo sqaroi se autoritetet kanë ofruar një zemër që sipas familjes nuk është e Saimirit, pasi është regjistruar një muaj para se i riu të vdiste.
“Rasti i Saimirit u arkivua ne qershor, me pretendimin se u gjet zemra. Dokumentet për zemrën janë në prill 2020, kur Saimir ndërroi jetë në maj.
Zemrat mbahet në një nga këto institucionet, por jo në spital. Kur doli Saimiri nga spitali, mbaroi çdo kontakt. Tani kemi lidhje vetëm me mjekësinë ligjore dhe këtë institutin. Këta zotërinjtë pretendojnë se zemra ndodhet në një boks nga prilli, kur Saimir ndërroi jetë në maj. Është një mashtrim nga autoritetet spanjolle për të mbyllur rastin. Rasti është mbyllur në qershor ë këtij viti, është arkivuar. Ne e kemi hedhur në apel, por do na duhet ndihma e autoriteteve shqiptare”, tha ajo.
Sipas motrës, ne nuk kemi dhënë autorizim për mbajtjen e zemrës, as nga autoritetet spanjolle nuk pretendohet që ne të kemi firmosur për mbajtjen e zemrës.
“Nuk shpjegohet pse e kanë mbajtur zemrën. Pretendohet statusi i zemrës, se Saimiri kishte një sëmundje të zemrës të padiagnostikuar më parë, por ajo zemër nuk është Saimirit, por dikujt tjetër.
Duan të thonë këtë gjë për të hedhur poshtë denoncimin për trafik organesh. Pa asnjë lloj investigimi, pa asnjë hetim. nuk është bërë asnjë lloj marrje në pyetje e personelit të spitalit dhe na japin këto dokumente për zemrën që nuk korespodojnë me vdekjen e Saimirit. Nuk ka dyshim që ajo zemër nuk është e Saimirit, është prishur ai protokolli i kujdestarisë. Zemra u nda për 1 vit e 3 muaj nga trupi i Saimir dhe ne nuk e dinim ku ishte. Nëse ne shkojmë ta marrim dhe i bëjmë ADN-në, nesër nuk mund të pretendoj që kjo nuk ishte zemra e Saimirit, ndryshe kur e bën Shqipëria”, u shpreh motra.
Ajo deklaroi se nuk do të ndalen kurrë.
“Unë i bëj thirrje z.kryeministër. Familja ime pretendon se pas 2 letër-porosive, e para nga ish-ministrja Gjonaj dhe e dyta nga ministri Manja nuk kam marrë përgjigje. Z. Manja i kërkonte autoriteteve spanjolle që zemra të sillej në Shqipëri.
Autopsia dhe konstatimi për mungesën e zemrës u bë në Shqipëri dhe dyshimet për trafik organesh nisën nga Shqipëria. Nuk mund të mbyllet si një lojë fëmijësh.
Unë kërkoj nga z. kryeministër, nga ministri i Drejtësisë, nga zonja Olta Xhaçka dhe prokurori i rastit, prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, të interesohen për rastin e vëllait tim, për trafik organesh dhe kërkoj t’i niset ambasadës spanjolle një notë verbale duke qenë se autoritetet spanjolle nuk kanë kthyer përgjigje dhe nuk kanë pranuar t’i bëjnë ADN-në zemrës. Nuk ka asnjë lloj përgjigje për këto 2 letër porosi. Lirisht nga shteti shqiptar mund t’i dërgohet një notë verbale ambasadës spanjolle në Tiranë. Është mungesë respekti për shtetin tonë që autoritetet spanjolle të mos kthejnë përgjigje për dy letër-porosi.
Nuk di nëse do të reagojnë apo jo, unë di vetëm që ne nuk do të ndalemi kurrë. I bëj apel këtyre zotërinjve të lëvizin, të dërgojnë notën verbale, të interesohen për trafikimin e organeve, që ka dy vjet që është hapur, nuk është bërë asnjë lloj hetimi. Nuk do ndalemi kurrë, familja jonë nuk do ndalet kurrë. Shumë herë kam kërkuar takim me Ramën, zoti kryeministër nuk ka pasur kohë të më takojë. Ne kërkojmë vetëm 3 shkronja, ADN-në, duam të gjejmë zemrën e vëllait. Trafikimi i organeve është një akuzë e rëndë, nuk mund të mbyllet kështu në hava”, deklaroi motra e viktimës.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2020 rreth orës 23:00. Pandemia ishte në fazën fillestare. Një i ri shqiptar i quajtur Saimir Sula ka hyrë në Spitalin del Mar ( Barcelona ) i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Djali kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test covid, i cili doli negativ. Ata e futën brenda, ndërsa motra e tij qëndronte jashtë në pritje të rezultateve. 18 orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t'i thënë se vëllai i saj kishte vdekur.
Vdekja e çuditshme u pasua nga një sërë misteresh që familja e viktimës ende nuk i ka sqaruar. E para është se, sipas motrës së të ndjerit, kanë tentuar ta djegin trupin në kohë rekord. Majlinda nuk pranoi sepse pa mavijosje në trupin e vëllait të saj dhe kërkoi që kufoma do të transferohej në Shqipëri , vendlindja e saj, ku do të kërkonte një autopsi të dytë. Arkivoli mbërriti në Tiranë dhe u krye testi i dytë. Ekipi që e kreu atë lëshoi një raport duke siguruar se trupi kishte mbërritur pa zemër.
Gjendet zemra, mister kujt i përket
Pak kohë më pas, Majlinda mori një raport nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore të Katalonjës (IMELEC), duke i thënë se tashmë e kishin gjetur zemrën e vëllait të saj. Ky lajm i papritur e bëri atë të dyshonte se ky organ i përkiste Saimirit të saj. Pa zgjidhur të panjohurat e para, u shtua një e re: pse një zemër po shfaqej tani nga askund? Kush e kishte nxjerrë dhe pse? A ishte vërtet zemra e humbur e Saimirit?
Nisur nga dyshimet dhe të nxitura nga Prokuroria Shqiptare, Majlinda kërkoi (përmes avokatit të saj, Carlos Sardinero), një test ADN-je, por të gjitha kërkesat janë refuzuar. Për më tepër, çështja është pushuar në dy raste nga Gjykata Hetuese Nr. 16 e Barcelonës, pavarësisht urdhrave shqiptare. Pavarësisht kësaj as motra e të ndjerit dhe as avokati i tij nuk besojnë se kjo zemër i përket Saimirit.
Familjarët kërkojnë drejtësi
Edhe sot e kësaj dite familja e viktimës pohon se ende nuk e dinë se çfarë i ndodhi Saimirit atë natë, pse trupi mbërriti në Tiranë pa zemër dhe nga erdhi zemra që i atribuohet Saimirit dhe pse po refuzohet të bëhet një test ADN. Sepse, përveç kësaj, datat e vdekjes dhe nxjerrjes së zemrës nuk përkojnë. Dokumenti i autopsisë për atë zemër është i datës 21 prill, por vdekja e Saimirit ndodhi më 9 maj.
“Është e qartë se ka parregullsi në gjurmueshmërinë e asaj zemre. Ka një thyerje në zinxhirin e kujdestarisë. Zemra është ndarë nga trupi pa na informuar askush dhe ne nuk e dimë arsyen. Tani duhet të zbulojmë nëse kjo është me të vërtetë zemra e Saimirit. Dhe ne mendojmë jo", thotë avokati.
Për këtë arsye, ata kërkojnë nga mbrojtja që t'i bindet kërkesës së Prokurorisë shqiptare, e cila ka kërkuar që të bëhet testi i ADN-së në zemrën e gjetur. Megjithatë, nga drejtësia spanjolle e refuzojnë kërkesën.
“Ajo që duam është që ata të bëjnë ADN-në, siç kërkohet nga Shqipëria. Ne nuk do të mbledhim organin, sepse atëherë do të prishet plotësisht gjurmueshmëria dhe zinxhiri i kujdestarisë. Çfarë ne kërkojmë që çështja të mos mbyllet në mënyrë të rreme pa kryer një test të thjeshtë ADN-je”, tregon e motra.
Mediat spanjolle ka kontaktuar me Spitalin del Mar, nga ku nuk kanë pranuar të bëjnë asnjë deklaratë. Kujt i përket kjo zemër që i është gjetur të riut shqiptar, si iu gjet, pse iu hoq, janë shumë pyetje që e motra nuk ka ende një përgjigje.