
Gjykata e Apelit ka liruar nga burgu biznesmenin nga Elbasani, Shaqir Alcani, i cili së bashku me të birin jurist, Algert Alcani dhe dy miq të tyre kërcënuan me jetë fituesin e një tenderi për lëndët drusore.
Baba e bir Shaqir dhe Algert Alcani, si edhe miku i tyre Edmir Boçi kishin ankimuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit, e cila kishte vendosur masës “arrest shtëpie” për 62-vjeçari dhe “arrest me burg” për dy 37-vjeçarët.
Ata kishin kërkuar ndryshimin e vendimit dhe caktimin e masë së sigurimit personal atë të “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Por Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit, duke liruar nga qelia 62-vjeçarin dhe duke lënë në burg djalin e tij, Algert Alcani dhe mikun e tyre Edmir Boçi.
Sipas vendimit të Gjykatës, Shaqir Alcani duhet që të mos largohet nga banesa ku do të strehohet dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të në banesën ku ai do të strehohet për ekzekutimin e këtij vendimi.
Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit, bëhet me dije se babë e bir, Shaqir dhe Algert Alcani, përkatësisht 62 dhe 37 vjeç, së bashku me 37- vjeçarin Edmir Boçi, kanë kërcënuar me jetë biznesmenin nga Cërriku, Eral Myftaraj, dhe familjen e tij.
E gjithë historia lidhet me një tender të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë e Tiranës, me vlerë mbi 830 mijë euro, të cilin e ka fituar kompania “AL-MEXWOOD SH.P.K” e Myftarajt. Ai ka qenë në garë me kompaninë ‘Alcani sh.p.k.’, që zotërohet prej 62-vjeçarit të arrestuar, Shaqir Alcani, i biri i të cilit është i punësuar si jurist në Bashkinë e Tiranës.
Presioni që babë e bir kanë bërë mbi Myftarajn që ai të tërhiqej nga tenderi nuk ka ecur dhe së bashku Shaqir e Algert Alcani, në bashkëpunim me eksponentë të krimit, e kanë kërcënuar të heqë dorë ose përndryshe do t’i vrasin djalin, Mateo Myftaraj. Ndërkohë, 38-vjeçari që është shpallur në kërkim për këtë ngjarje dyshohet se është Luiz Llozhi, një emër i njohur ky për Policinë, si person me precedentë penalë që ka ndryshuar disa herë emrin dhe mbiemrin.
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Nisur nga aktet e procedimit penal rezulton se, në Drejtorin Vendore të Policisë së Elbasanit ka depozituar kallëzim penal shtetasi me iniciale E.M, i cili ka parashtruar se disa shtetas të indentifikuar si shtetasit me iniciale Sh.A dhe A.A, kanë përdorur shtetasit me iniciale E.B dhe L.K (Ç) duke e kërcënuar me jetë atë dhe familjen e tij me qëllim tërheqjen nga një procedurë prokurimi publik që kallëzuesi deklaron se e ka fituar në Bashkinë Tiranë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale E.B, A.A dhe Sh.A, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 109/b të Kodit Penal.