Pas vendimit të Gjykatës së Vlorës, dosja e Fredi Belerit, tashmë kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i cili është në burg për akuzën e blerjes së votave i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Materialet e dosjes hetimore paraprake tashmë i janë dorëzuar nga Prokuroria e Vlorës në SPAK dhe pritet që së shpejti të mbahet një tjetër seancë për masë sigurie në GJKKO.
Report ka publikuar vendimin e Gjykatës së Vlorës në të cilën jepen detaje se si ka nisur procedimi. Në vendim thuhet se procedimi penal ndaj Belerit nisi më 8 maj pasi kishte dyshime se blinte vota nga 50 deri në 200 euro.
Më pas është paraqitur vetë në Prokurorinë e Vlorës shtetasi A.R, i cili denoncoi blerjen e votave nga ana e Belerit dhe pranoi të bëhej ‘i infiltruar i prokurorisë’.
Në dosje thuhet se ai kishte biseduar me Belerin për një listë me 13 emra dhe për këtë do të paguhet 300 euro për ‘shërbimin’ që do t’i bënte kandidatit të Berisha-Meta dhe do të merrte nga 50 euro që t’ua shpërndante personave që do e votonin.
"Në datë 10.05.2023, shtetasi A.R, ka komunikuar ne telefon me shtetasin Dhionisios Alfred Beleri dhe i ka thënë se listën ia kishte dorëzuar sekretares së tij.
Alfredi i ka thënë se do ta verifikontë një gjë të tillë dhe do të komunikonin sërish bashkë për tu takuar. Në vijim të kësaj bisede, sërish në datë 10.05.2023, ata janë takuar më njëri tjetrin në lagjen Potam, jashtë ambienteve të lokalit "Gelateria", ku sipas bisedave ambientale të përgjuara, kanë biseduar në mënyrë të përmbledhur lidhur me listën prej 13 personash të dorëzuar nga shtetasi A.R dhe shumën monetare që duhej të përfitonte secili prej tyre në këmbim të votës pro kandidatit Dhinisios Alfred Beleri.
Në këtë bisedë, ky shtetas i ka premtuar shtetasit A.R se do të paguante shumën prej 50 euro për person dhe 300 euro për shtetasin A.R, nëse shtetasi Dhionisios Alfred Beleri bindej sipas verifikimeve që ai do të kryente, se vota ishte hedhur pro tij. Në këtë bisedë, shtetasi Dhionisios Alfred Beleri, i premton shtetasit A.R se shumën monetare do t'ja jepte po atë natë në darkë ose të nesërmen në mëngjes", thuhet në dosje.
Kujtojmë që sot Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme dhe ambasadorja greke në Shqipëri pritet të takohen sot me Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshin të cilët ndodhen në paraburgim, pasi u arrestua për blerje votash, 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit.