Ambasadorja e ShBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ku tre kandidatët në garë janë Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani.
Në një postim në Twitter, Kim deklaron se kreu i ri i SPAK të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe historikut dhe të jetë i aftë e i vendosur për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo kërkon më tej që procesi i përzgjedhjes duhet të jetë pa manipulime nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë në drejtësi. Shefja e diplomacisë amerikane në Shqipëri thotë se taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë.
Postimi i Yuri Kim:
Tani që janë konfirmuar kandidatët për kreun e ardhshëm të SPAK-ut, është thelbësore që procesi të jetë transparent në mënyrë që kreu i ardhshëm i Prokurorisë Speciale të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe historikut dhe të jetë i aftë e i vendosur për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i përzgjedhjes duhet të jetë pa manipulime nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë në drejtësi, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi. Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë. SPAK-u, ashtu si reforma në drejtësi duhet t’i shërbejë të ardhmes së Shqipërisë.