Ardian Çapja ditën e djeshme ka dhënë një dëshmi bombë përpara Gjykatës së Posaçme, duke akuzuar se një politikan i lartë me emrin Taulant qëndron pas vrasjeve në Elbasan.
Ai nuk e dha emrin e plotë pasi tha se i rrezikohet familja, Çapja tha se Taulanti i ka ofruar ndihmë pas masakrës së vitit 2016.
Çapja akuzon një “politikan me emrin Taulant” që ka dalë në përgjimet e masakrës së shkurtit të vitit 2016. Sipas tij, gjatë hetimeve doli në përgjime emri i një politikani me emrin Taulant, por përgjimet u fshinë me urdhër të gjykatës.
“Pas masakrës së 3 Shkurtit 2016 unë nuk kam dalë më nga shtëpia. Me avokatin e ndjerë Ravik Gurraj kemi marrë dosjen e ngjarjes së vitit 2016 dhe aty ka qenë në përgjim edhe një zyrtar i lartë me emrin Taulant. Më pas kemi mësuar se me vendim të gjykatës së Elbasanit përgjimet e politikanit janë asgjësuar. Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmënd sepse më rrezikohet familja” deklaroi Çapja.
Sipas Ardian Çapjas, përgjimet ku dilte politikani me emrin Taulant janë arsyeja që u vra avokati Ravik Gurra në Elbasan. Gazetarë me ironi kanë shkruar për këtë dëshmi duke kërkuar për SPAK-un, që të gjejë të plotë emrin e politikanit Taulant i cili është i lidhur me krimin sipas Çapjave.
“Kush do e ndihmojë SPAK-un se ka që në dreke që po kërkon politikanin Taulant që tha Çapja që prokuroria e Elbasanit i ka fshi pergjimet, dhe s’po e gjejnë dot… Ju lutem jepjani një dorë prokurorisë që na kanë ndërtue amerikanët!” shkruan gazetarja Nikoleta Kovaçi.
Gazetarja Glidona Daci shkruan se Çapja ka deklaruar se i njëjti politikan ka ofruar ndihmë për të pas masakrës së vitit 2016.
“Ardian Çapja në seancë deklaroi se në përgjim për ngjarjen e 3 shkurtit 2016 ka qenë edhe një politikan. Sipas Çapjas, përgjimet e politikanit janë asgjësuar me vendim gjykate. Ai kërkoi nga SPAK të zbardhë vrasjen e avokatit Ravik Gurra se aty do zbulonte thesare. Politika në Elbasan, sipas tij, ishte e lidhur me krimin.
Pikëpyetja e madhe që ngrihet është, kush ishte politikani dhe pse i ka ofruar ndihme Çapjas pas ngjarjes së 2016? Kush fshihet pas vrasjes së avokatit Gurra?” shkruan ajo.
Postimi i gazetarit Basir Çollaku:
Ardian Çapja thotë në gjyq, se në përgjimet e dosjes, dosje e marrë me avokatin e vrarë Ravik Gurraj, dilte politikani i lartë Taulant...
A dinë gjë në PS kush është Taulanti politikani i lartë i tyre në Elbasan
Në atë periudhë drejtuesi Taulant Balla ka qene nr. 2 i Partisë Socialiste.
A është Taulanti i përgjimeve të dosjes, Taulanti nr. 2 i Partise Socialiste?!
Madje Çapja pohon në dëshminë e tij, se Taulanti e kish telefonuar edhe atë për t'i ofruar ndihmë.
Emrat janë nëpër dosje. Prokurorë dhe gjyqtarë kane kryer veprime dhe mosveprime. Vettingu ka shpërblyer, ndëshkuar, kursyer dhe bujaruar sipas porosisë së partisë.
Prokurorë, drejtues policie dhe Gjyqtarë të përfshirë në venfime asgjësimi duhet të hetohen! Nëse duart e tyre kanë fshehur dhe mbuluar.
Ka dhe një Taulant tjetër që i ngjan këtij të kallzuar nga Çapja në sallën e gjyqit sërish në përgjime
Emiljano Nuhu, oficeri infiltruar në disa operacione të Krimeve të Rënda denoncomte një tjetër Taulant, politikan të lartë të PS. Nuhu kallëzoi publikisht Taulant Ballën si i pranishëm.ne Fushe-Krujë kur i vunë Rrajat koburen në kokë në zyrën e tij.
Më pas ai ka deklaruar se njeriu Taulant, kishte telefonatë me persona të botës së paligjshmërisë. Këto kanë qenë përgjime paraprake, ku një Taulant fliste me këto personazhe dhe i kërkohej të hiqte qafe policët e bezdisshëm të cilët nuk po linin bandën rehat. Në të kundërt Ata thonin njeriut Taulant të kthente pas 3 milionë eurot e investuara për të fituar zgjedhjet..
Më pas njeriu i përgjimeve Taulant reagoi me veprime permbushëse. Natyrisht ne Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, dikush u kujdes për të rehatuat përgjimet e njeriut Taulant, me njerëzit rrugës...
Mbase në PS janë duke bërë apelin se ciki Taulant paska qenë në Elbasan dërguar nga partia. Se në 22 prill në zgjedhjet e 2022 dihet se Taulant Balla kryesonte ekipin e punës në Elbassn ku dhe ndodhi përplasja me armë me mbështetës të PD, me oasojë një humbje jete dhe plagosje.
Amerikanët e dinë se njerëzit Edvin, Damian, Arben, Taulant, Beqje, Agaçi, Veliaj, Subash, Sako, Dako, Tahir, Fatmir, janë njerëz politikë përgjimesh, për vepra të rënda penale. Por, por, pak SPAK na mungon, për ti shkuar në fund ndonjë përgjimi...
Kush është Ardjan Çapja
Ardjan Çapja është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit. Siç ka treguar edhe vetë në sallën e gjyqit, atij i janë bërë 3 atentate, dy në vitin 2017 dhe një në vitin 2020 kur tentuan ta eleminojnë me snajper në oborrin e shtëpisë së tij.
Kur policia i dërgoi formularin e OFL, aty shkruhej se Ardiani dyshohet si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura për motive hakmarrjeje. Gjithashtu dyshohet se ai së bashku me të afërm të tij ka kryer vrasje me pagesë, në periudhën 2009-2016.
Në vitin 2016 ai u arrestua së bashku me Florenc Çapjan dhe Bledar Muçën pasi qëlloi më armë ndaj policisë. Por edhe pse gjithçka ishte e dokumentuar me video, gjykata e shpalli të pafajshëm, pasi policët nuk u identifikuan.
Ai u arrestua sërish, pasi prokuroria e akuzoi për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij. Vrasja dyshohet se u krye për hakmarrje, pasi në vitin 2005 është vrarë, vëllai i Ardjanit, Sokoli.
Masakra ndaj fisit Çapaj në Elbasan
Në 3 Shkurt të vitit 2016, gjatë orëve të mbrëmjes në Elbasan, në një lokal ku qëndronin miq dhe të afërm të familjes Çapja ndodhi një masakër me tre të vrarë dhe tetë të plagosur.
Katër persona të veshur me kamuflazh dhe të maskuar me kapuça zbritën nga makina dhe hapën zjarr në lokal, duke shkatërruar gjithçka me breshëri automatiku. Plumbat thyen xhamat, duke depërtuar në tavolinat ku ishin ulur një grup burrash nga 25 deri në 55 vjeç.
Të vrarë mbetën Agron Çapja 50 vjeç, Ardit Sinakolli 27 vjeç dhe Eno Bedalli 37 vjeç.
Të plagosurit në spitalin e Traumës u dërguan Fejzulla Çapja, Ferit Muça, Luan Muça, Bledar Muça, Bujar Reshka dhe Florenc Çapja
Të plagosur në spitalin e Elbasanit u dërguan Ardian Zharri dhe Arnold Çapja./VoxNews