“Syri i natës” kap kanabis dhe armë zjarri në Peqin, 5 të arrestuar

18 September 2025, 09:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Syri i natës” kap kanabis dhe armë zjarri në Peqin,
Peqin

Pesë persona janë arrestuar, një është shpallur në kërkim dhe një do të hetohet në gjendje të lirë pasi policia zbuloi 112 bimë kanabisi në vendin e quajtur "Zabeli i Akaciave", në fshatin Karinë.

Operacioni u realizua nga blutë e Peqinit dhe Elbasanit pas një hetimi disajavor.

Gjatë kontrolleve të kryera u asgjësuan bimët narkotike teksa sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pistoleta, municion luftarak, 1 armë gjuetie, kapsolla detonatore me fitil zjarrpërcjellës, thika dhe targa automjeti.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Njoftimi i policisë:

Operacioni, nga Komisariati i Policisë Peqin, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi disajavor, me metoda proaktive. 

Si rezultat i operacionit:

-u asgjësuan 112 bimë narkotike, që ishin kultivuar në vendin e quajtur "Zabeli i Akaciave", në fshatin Karinë; 

-u sekuestruan 3 armë zjarri, municioni luftarak, armë gjuetie, kapsolla detonatore dhe armë të ftohta.    

Vihen në pranga 5 shtetas, procedohet penalisht 1 dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar "Syri i natës".

Në kuadër të operacionit:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit: Q. K., 67 vjeç, Q. K., 24 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Karinë, E. J., 37 vjeç, banues në Peqin dhe A. H., 31 vjeç dhe A. H. 59 vjeç(babë e bir), banues në fshatin Garunjë e vogël.

-nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 32 vjeç ;

-u shpall në kërkim shtetasi A. J.  

Gjatë operacionit, u gjetën të kultivuara në vendin e quajtur "Zabeli i Akaciave", në fshatin Karinë, 112 bimë narkotike, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. 

Nga kontrollet në banesat e këtyre shtetasve, janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pistoleta dhe sasi municioni luftarak për to, 1 armë gjuetie, kapsolla detonatore me fitil zjarrpërcjellës, thika dhe targa automjeti.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, kapjen e shtetasve në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme,  për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Kultivimi i bimëve narkotike", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.


Video