Më shumë se 5.4 milionë euro ka përfituar Jamabër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha nga afera e privatizmit të ish-kompleksit sportiv Partizani, në kohën kur pushteti ishte në duar të Berishës.
SPAK në njoftimin zyrtar nënvizon se Sali Berisha, në kohën kur ishte kryeministër, ka miratuar ligje sipas nevojave të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
Po ashtu SPAK thekson se Berisha ka ushtruar presion për privatizimin e ish-kompleksit 'Partizanit' në favor të Malltezit si dhe ka vënë në dispozicion struktura të administratës shtetërore po për dhëndrin e tij.
SPAK njofton se nga ndërtimet në ish-kompleksin Partizani ka përfituar drejtpërdrejt Jamarbër Malltezi.
‘Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Jamarbër Malltezi, në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro,’- njofton SPAK.
Pjesë nga njoftimi i SPAK:
Shtetasi J. M. dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin S. B., pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë:
Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Shtetasi J. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B., ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.