Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për kryebashkiakun socialist të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili akuzohet për veprën penale të falsifikimit të formularëve, vulave dhe stampave
SPAK kërkon dënimin me 1 vit burg për Ismailajn për shkak se ka fshehur një denim në Greqi në vitin 2000. Ai nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme. Qerim Ismailaj është përfaqësuar nga avokati.
Pas 2 javësh pritet të jetë seanca e vendimmarrjes nga Gjykata e Posaçme. Në rast të gjetjes fajtore dhe dënimit Qerim Ismailaj humb mandatin e kryebashkiakut.
Kryetari aktual i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar në Greqi me vendim të formës së prerë të vitit 2000 për një ngjarje të ndodhur në 1999.
Kjo gjykatë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar në mungesë me 3 vite burgim Ismailajn për veprën penale të “Konfliktit”/ “Përleshjes”, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë që në Shqipëri i korrespondon veprës penale “dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 90/1 të Kodit Penal, e cila parashikon dënim vetëm me gjobë.
Rasti u denoncua nga Partia Demokratike dhe më pas SPAK-u kërkoi verifikim në Greqi për dënimin e tij.