Sondazhi: Shqiptarët humbasin besimin tek SPAK-u

16 June 2022, 22:15Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sondazhi: Shqiptarët humbasin besimin tek SPAK-u
Kreu i SPAK, Arben Kraja

Vetëm dy në pesë shqiptarë (39,7%) e vlerësojnë si pozitive punën e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e njohur si SPAK. Një në katër shqiptarë (24,8%) e sheh punën e saj si negative.

Thuajse 70% e atyre që e vlerësojnë pozitivisht SPAK-un, kanë votuar PS-në në 2021-shin.

Pavarësisht kësaj, më pak janë socialistët që e vlerësojnë si pozitive punën e SPAK, krahasuar me një vit më parë.

Sondazhi: Shqiptarët humbasin besimin tek SPAK-u

Ndërkohë, është ulur edhe numri i qytetarëve shqiptarë që shohin rezultate pozitive konkrete nga reforma në drejtësi.

Edhe pse është rritur numri i qytetarëve që besojnë se reforma ka ecur pozitivisht deri tani, të pyetur më konkretisht për arritjet e deritanishme, shqiptarët janë shprehur më pesimist se në vrojtimin e vitit 2021 kryer nga Barometri në Euronews Albania.

Më pak shqiptarë mendojnë sot se reforma e ka pastruar drejtësinë nga të korruptuarit (55,2%), krahasuar me një vit më parë (57,7%).

Sondazhi: Shqiptarët humbasin besimin tek SPAK-u

Më pak janë edhe shqiptarët (38,9%) që besojnë se reforma në drejtësi ka sjellë rezultate në dënimin e politikanëve të korruptuar, krahasuar me një vit më parë (45,1%).

Numri i qytetarëve që shohin rezultate pozitive të reformës në drejtësi kundër krimit të organizuar është më i vogël këtë vit (44%) krahasuar me një vit më parë (50,6%).

Në rënie është edhe numri i qytetarëve që shohin më shumë drejtësi për qytetarët e thjeshtë (35,9%) sot, krahasimisht me një vit më parë (49,5%).

Tre në pesë shqiptarë (60,9%) mendojnë se reforma në drejtësi nuk ka sjellë më shumë pavarësi të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga politika.

Gjetjet janë të anketës së Barometrit në Euronews Albania, kryer nga MBR dhe Data Centrum në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë në familje, në datat 23 Maj – 4 Qershor.



Video