Zjarri në qendrën tregtare në Lushnje vijon të krijojë problematika. Në katin e katërt të saj është riaktivizuar një vatër zjarri.
Mësohet se në atë zonë ndodhen mallra industriale. Për pasojë ato vijojnë të digjen.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me ndihmën e një vinçi për tu afruar sa më pranë vatrës së zjarrit dhe për ta mbajtur nën kontroll.
Rreziku mbetet i lartë në çdo moment përsa i përket riaktivizimeve pasi rrymat e ajrit qarkullojnë lirshëm përmes xhamave të thyer.
Kujtojmë se flakët në këtë qendër tregtare kanë nisur që rreth orës 14:40 të ditës së sotme.
Për shkak të situatës mbetën të bllokuar qindra qytetarë, ndërsa dhjetëra të tjerë u asfiksuan. Në orët e mbrëmjes, autoritetet njoftuan evakuimin e të gjithë qytetarëve dhe banorëve që jetonin në dy pallate mbi qendrën tregtare.
Deri më tani nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk mbeti asnjë person i lënduar rëndë.