Policia e Beratit ka identifikuar dhe arrestuar katër shtetas për zjarrvënie të qëllimshme në lagjen “Uznovë” dhe në fshatrat Osmëzezë dhe Drenovicë.
Si pasojë e këtyre zjarreve, janë rrezikuar banesa, sera, dhe janë shkatërruar sipërfaqe toke dhe pemë frutore.
Në kuadër të operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat arrestuan shtetasit:
Sh. D., 49 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, i dyshuar për ndezjen e zjarrit në këtë lagje, ku u rrezikuan banesat dhe u djeg një sipërfaqe toke.
Z. M., 56 vjeç, banues në fshatin Osmëzezë, i dyshuar për ndezjen e zjarrit në tokën e tij, duke shkaktuar djegien e sipërfaqeve toke dhe pemëve frutore që i përkisnin dy shtetasve të tjerë.
Po ashtu, shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal arrestuan:
S. M., 53 vjeç dhe L. B., 56 vjeç, banues në fshatin Samatic, të dyshuar për ndezjen e zjarreve në fshatin Drenovicë, ku janë djegur pemë ulliri dhe ka pasur rrezik për djegien e serave.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale.