Janë rikthyer një pjesë të shërbimeve në portalin qeveritar e-Albania pas sulmit kibernetik.
Kryeministria njofton se tek e-albania janë rikthyer në funksion 1118, nga 1225 shërbimet elektronike që ofron për qytetarët shqiptarë. Në njoftim sqarohen të gjitha shërbimet që janë rikthyer për qytetarët.
Shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të një sulmi kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.
Njoftimi i Kryeministrisë:
e-albania rikthehet në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike që ofron për qytetarët shqiptarë. Tashmë mund të gjenerohen sërish nga platforma digjitale:
- Dokumentet me vulë elektronike - certifikatat e gjendjes civile, vërtetimet tatimore, eksteraktet dhe certifikata e regjistrimit të biznesit, vërtetimet e papunësisë, certifikata e gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit)
Do të mund të aplikohet për:
- Regjistrimin në klasën e parë dhe të dhjetë të nxënësve
- Shërbimet e regjistrimit të biznesit, etj.
Por për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, portali e- albania, për arsye të larta sigurie, do të bëhet funksional së shpejti.
Ndërkaq AKSHI-t, së bashku me skuadrën e Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerët e “Jones Group International”, po vijojnë punën me intensitet të plotë për t’ju kthyer qytetarëve edhe:
- Shërbimet e regjistrimeve dhe të ndryshimeve të pronarëve përfitues;
- Vërtetimin e ndihmës ekononomike, pagesës së paaftësisë së kufizuar dhe kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social;
- Për shërbimet e rezervimit të takimit për kryerje konsulte e ekzaminimi mjekesor;
- Për listën e notave dhe vertetimin e diplomës për studentet që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës;
- Për shërbimet konsullore, për shqiptarët jashtë vendit;
- Shërbimet e certifikatave të regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale;
- Njehsimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja;
- Si dhe për kryerjen e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike
Duke falënderuar edhe një herë çdo qytetar, biznes, punonjës administrate, shtetas të huaj në Republikën e Shqipërisë, për durimin, kërkojmë mirëkuptimin në rast të ndonjë problemi me të cilin mund të hasemi, përgjatë këtij procesi e kësaj kundërofensive ndaj sulmit kibernetik, që s’ishe parë ndonjëherë më parë në vendin tonë.
Sigurojmë edhe një herë gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijojmë punën deri në rikthimin në funksion të plotë të çdo shërbimi.