Rasti i Vis Martinajt, AMA thirrje televizioneve: Kriminelët i trajtoni si heronj, po dëmtoni të miturit

1 October 2022, 12:54Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rasti i Vis Martinajt, AMA thirrje televizioneve: Kriminelët i trajtoni si
Ama dhe Ervis Martinaj

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po i trajtojnë televizionet personat me precedent kriminal, duke iu referuar rastit më të fundit atij të Ervis Martinajt.

Në një deklaratë për mediat, AMA thotë se nga monitorimi i televizioneve ka konstatuar me shqetësim, se persona me precedentë penalë herë-herë trajtohen si “heronj” dhe lihen të bëjnë protagonizëm.

“veç mesazhit të gabuar, që japin për mbarë shoqërinë, këto përmbajtje audiovizive, referuar orarit të transmetimit, ndikojnë negativisht veçanërisht te të miturit, duke nxitur imitimin e modeleve dhe formave të sjelljes së papërshtatshme”, thuhet në reagim ndër të tjera.

Njoftimi i plotë i Autoritetit të Mediave Audiovizive:

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, gjatë procesit të monitorimit dhe shqyrtimit të përmbajtjeve të transmetuara nga OSHMA-të, referuar kërkesave të ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka identifikuar një problematikë të përsëritur.

Duke vlerësuar maksimalisht mbulimin audioviziv të çështjeve të sigurisë së rendit publik, investigimet për zbardhjen e ngjarjeve kriminale aktuale apo të mëhershme, ndihmesën në parandalimin e akteve kriminale, hetimin e autorëve të dyshuar, etj, AMA njëkohësisht konstaton me shqetësim, se persona me precedentë penalë herë-herë trajtohen si “heronj” dhe lihen të bëjnë protagonizëm, duke justifikuar me nota aventureske aktet e tyre të dhunës, të tjera shkelje ligjore apo sjellje shoqërisht të dëmshme. Qasje të tilla nxisin dhe justifikojnë dhunën apo rikthejnë konfliktin mes shtetasve.

Bazuar në ligjin 97/2013, i ndryshuar ( neni 4, Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive), sipas të cilit OSHMA-të udhëhiqen nga parimi i moslejimit të transmetimeve që “nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve”, (pika 2/d), “nxisin dhe justifikojnë dhunën” apo “ mund të nxisin vepra penale” ( neni 33, pika 1/d), veç mesazhit të gabuar, që japin për mbarë shoqërinë, këto përmbajtje audiovizive, referuar orarit të transmetimit, ndikojnë negativisht veçanërisht te të miturit, duke nxitur imitimin e modeleve dhe formave të sjelljes së papërshtatshme dhe ushtruar rrjedhimisht ndikim negativ në edukimin e tyre. Kjo megjithëse referuar ligjit 97/2013, i ndryshuar, transmetimet audiovizive duhet të “respektojnë në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e fëmijëve”, (neni 4, pika 1/b).

Nisur nga sa më sipër, AMA ka adresuar disa tërheqje vëmendjeje për OSHMA-të, ndërkohë që vijon monitorimin e përmbajtjeve të transmetuara.

Në këtë kontekst, AMA nxit të gjitha mediat të angazhohen në evitimin e përmbajtjeve të papërshtatshme, që promovojnë dhe justifikojnë dhunën, përmes prezantimit glorifikues emocional të personave me precedentë penalë. Për rastet e evidentuara do të ndiqen procedurat administrative, sipas legjislacionit në fuqi.

AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE


Video