
Ditën e sotme u bë zyrtar lajmi nga Ministria e Drejtësisë se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të vuajë dënimin në burgun e Fierit.
Ky institucion penitenciar është i sigurisë së zakonshme dhe kapaciteti është 600 të burgosur dhe 180 të paraburgosur.
Tahiri do të qëndrojë i vetëm në qeli për të evituar kontaktet me të dënuar të tjerë, të cilët për shkak të detyrës që ka mbajtur, mund të konsiderohen si rrezik.
Nga ana tjetër, gjatë intervistës së sigurisë, Tahiri nuk ka pasur asnjë lloj pretendimi apo kërkesë se ku duhet të qëndronte. Prej datës 4 shkurt, kur u shpall vendimi për dënimin e ish-ministrit me burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, Saimir Tahiri qëndroi në burgun 313 në Tiranë, burg i sigurisë së lartë.
Më herët, gjatë mëngjesit, avokati i tij mbrojtës Maksim Haxhia ishte në ambientet e këtij burgu në takim me ish-ministrin.
Avokati i Tahirit ka paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë ku do të kërkojë pafajësi. Për ish-kreun e policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i dënuar gjithashtu për të njëjtën çështje, nuk është marrë ende asnjë vendim.