Policia e Fierit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja" ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër pasi akuzohen për drogë.
Në pranga është vënë shtetasi Fatjon Gremi, 40 vjeç, banues në Fier. Policia është vënë ndjekje të tij, i cili po drejtonte një automjet tip "Ford" dhe po lëviste nga Bypass në drejtim të Fierit, pas marrjes së informacionit se kishte drogë.
Në fshatin Zhavar të Fierit, gjatë ndjekjes nga forcat e Policisë, automjeti tip "Ford" ka dalë nga rruga dhe drejtuesi i tij, Fatjon Gremi, ka braktisur automjetin por falë ndërhyrjes së Policisë, u kap në tokat e këtij fshati dhe u arrestua.
Gjatë ndjekjes së automjetit tip "Ford" që dyshohej se kishte lëndë narkotike, forcat e Policisë janë penguar nga një tjetër automjet tip "Benz", që i siguronte rrugën automjetit tip "Ford", i cili ka rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë me manovrat e rrezikshme që kryente për t'i shpëtuar ndjekjes.
Policia ka arrestuar dhe drejtuesin e "Benzit", shtetasin Amarildo Xhafa, 31 vjeç. Ata akuzohen për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" e kryer në bashkëpunim.
Nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip "Ford", u gjetën 83 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 2 automjetet, tip "Ford" dhe "Benz" dhe 3 aparate celulare.
Në vijim të veprimeve hetimore, rezultoi se në këtë veprimtari kriminale është i përfshirë edhe pronari i automjetit tip "Benz", shtetasi S. L., 39 vjeç, banues në Baltëz, Fier, i cili u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" e kryer në bashkëpunim.