“Nuk mund ta mbyllja më mirë vizitën sesa këtu”, presidenti gjerman "mahnitet" nga Berati (FOTO-VIDEO)

2 December 2022, 17:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Nuk mund ta mbyllja më mirë vizitën sesa këtu”,
Pamjet nga vizita e presidentit gjerman në Berat

Presidenti i Gjermanisë Frank Walter Steinmeier dhe delegacioni që e shoqëronin, kanë zgjedhur Beratin, qytetin e një mbi një dritareve të mbrojtur nga UNESCO, për të mbyllur vizitën e tyre në Shqipëri.

I shoqëruar nga kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo, në vizitën pesë orëshe, presidenti gjerman ka vizituar Xhaminë Mbret, e shpallur monument kulture që në vitin 1948 dhe që i ka mbijetuar edhe regjimit të Hoxhës. Siç shihet edhe në videot e mëposhtme, për të ndjekur traditën atij i është dashur të heqë edhe këpucët.

Po ashtu, ata kanë parë nga afër edhe teqenë, muzeun Onufri, Kishën “Shën Mëri Vllaherna” e pjesën më të madhe të vendeve historike të qytetit.

Nuk ka munguar as vizita në Kalanë e Beratit ku pamja mahnitëse nga kulla kryesore e saj, ku shquhen më së miri dy lagjet kryesore të Beratit, lagja Mangalem dhe lagja Goricë kanë tërhequr vëmendjen e kreut të shtetit gjerman.

“Nuk mund ta imagjinoja një mbyllje më të mirë të udhëtimit tim në Ballkanin Perëndimor se të vizitoja qytetin e mrekullueshëm të Beratit. Falemnderit për ushqimin e mrekullueshëm dhe mikpritjen tuaj fantastike” shkruan në librin e përshtypjeve në Castle Park, presidenti gjerman.

Gjatë vizitave në monumentet e kulturës, presidenti gjerman është përshëndetur edhe me qytetarët, teksa nuk ka ikur nga Shqipëria pa provuar edhe ushqimin tradicional, duke shijuar një drekë në Berat.

 

 

 

 

 

 



Video