Ndërtoi lokal veror pa leje në plazhin e Borshit, procedohet 45-vjeçari

3 June 2024, 15:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndërtoi lokal veror pa leje në plazhin e Borshit, procedohet
Lokali pa leje në Borsh

Një 45-vjeçar është proceduar nga policia, pasi është kapur duke ndërtuar një lokal pa leje në plazhin e Borshit.

Lokali i ndërtuar me dru dhe profile hekuri ka qenë gati në fazë përfundimi, kur është zbuluar nga kontrollet e policisë në terren.

Njoftimi i Policisë:

Po ndërtonte pa leje, një beach bar, në Borsh, procedohet penalisht 45-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë evidentuar një rast të ndërtimit të paligjshëm, në vijën bregdetare të Borshit.

Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. F., 45 vjeç, i cili po ndërtonte një beach bar, pa lejen e organeve kompetente.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.


Video