Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për humbjen apo dëmtime të tjera të regjistrave të kadastrës Tiranë.
Nisja e hetimeve vjen pas dorëzimit të raportit nga ana e kreut të Kadastrës, Artan Lame, i cili dy ditë më parë deklaroi se nga 2342 regjistra pronash të Tiranës, vetëm rreth 250 prej tyre janë pa dëmtime. Ai bëri me dije dhe se 515 faqe nga regjistrat mungojnë, ndërsa 13 mijë faqe janë lënë bosh.
Lame tregoi dhe zonat me më shumë problematika të hasura në regjistrat pronësor, që sipas tij janë: "zonat në zhvillim si Farka, Kashari, Yzberisht, Mëzez, Baldushk, Ndroq, Pezë Helmes, dhe Peza. Ndërsa në zonën e Kamëz-Vorë, qyteti Kamëz dhe qytetin Vorë, Paskuqan, Valias, Bathore, Laknas, Babrru dhe Domja."
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave”.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Tiranës nis kryesisht hetimet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave” për humbjen apo dëmtime të tjera të regjistrave të kadastrës Tiranë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke marrë shkas nga deklaratat e bëra në mediat e shkruara dhe audiovizive nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Z. Artan Lame, lidhur me humbjen apo dëmtime të tjera të faqeve të regjistrave të kadastrës, për zonat në zhvillim të Tiranës si Farka, Ndroqi, Shën Gjergji etj, ka filluar kryesisht, hetimet duke regjistruar procedimin penal nr. 4807 datë 21.06.2022, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave”, parashikuar nga neni 248 dhe 192/a i Kodit Penal, pa autorë të dyshuar.
Lidhur me faktet e sipërpërmendura Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është e angazhuar maksimalisht që të hetojë në drejtim të zbulimit dhe vënies përpara përgjegjësisë penale të çdo zyrtari apo personi të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme në dëm të interesave të ligjshme te qytetarëve apo shtetit.