Moti i keq me reshje shiu dhe stuhi ka krijuar problemet e para në disa qytete. Në Pukë janë dëmtuar urat që lidhin disa fshatra për shkak të prurjeve të përrenjve dhe ujësjellësat. Kryebashkiaku Gjon Gjonaj thotë se situata është e vështirë në disa fshatra kryesisht nga përrenjt malorë.
Në Shëngjin, uji ka vërshuar në rrugë, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Ndërkohë nga moti i keq janë dëmtuar linjat elektrike e për pasojë kanë mbetur pa energji elektrike fshatrat e Zadrimës.
Grupet e punës të OSHEE ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin sa më parë të energjisë.
Ndërsa në Dibër, shirat kanë shkaktuar problematika ndërsa segmenti i rrugës Arbrit Bulqizë-Peshkopi ka pak rënie gurësh duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve.
Në Dhërmi ka dalë nga shtrati përroi i Gjikurisë, ç'ka ka shkaktuar përmbytje pranë ish-vilave qeveritare