“Mos na zhdukni...”/ Qytetarët Memaliajt dhe Rrogozhinës në protestë kundër planit të qeverisë për shkrirjen e bashkive të tyre

7 August 2026, 20:56Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Mos na zhdukni...”/ Qytetarët Memaliajt dhe Rrogozhinës
Qytetarët Memaliajt dhe Rrogozhinës në protestë

Banorët e Memaliajt kanë dalë sërish në protestë kundër projektit të ri të ndarjes territoriale, që parashikon bashkimin e Bashkisë së Memaliajt me Bashkinë e Tepelenës.

Kjo është protesta e dytë radhazi e organizuar nga qytetarët, të cilët shprehen kundër ndryshimeve të propozuara dhe kërkojnë që Memaliaj të ruajë statusin e tij si njësi vendore më vete.

Protestuesit deklarojnë se bashkimi me Tepelenën do të dëmtojë përfaqësimin dhe zhvillimin e zonës, ndërsa i bëjnë thirrje qeverisë të rishqyrtojë projektin e ndarjes territoriale.

Banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë.

Edhe qytetarët e Rrogozhinës janë mbledhur në Parkun e Qytetit për të protestuar kundër ndryshimeve të propozuara në ndarjen territoriale, duke kundërshtuar mundësinë që Bashkia e Rrogozhinës t’i bashkohet Bashkisë së Kavajës.

Me pankarta dhe thirrje “Rrogozhina është e jona”, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj projektit, duke kërkuar që bashkia të ruajë statusin dhe identitetin e saj administrativ.

Gjatë protestës, qytetarët i bënë thirrje përfaqësuesve të qeverisë që të vizitojnë Rrogozhinën dhe të dëgjojnë nga afër shqetësimet e banorëve.

Sipas tyre, Bashkia e Kavajës përballet me problematikat e veta dhe nuk mund të përballojë njëkohësisht edhe nevojat e Rrogozhinës.

Protestuesit kërkuan anulimin e projektligjit për ndarjen territoriale, duke theksuar se Rrogozhina duhet të mbetet një bashki më vete, me përfaqësimin dhe administrimin e saj.

Ata paralajmëruan se do të vijojnë protestat nëse kërkesat nuk merren në konsideratë nga autoritetet.


Video