Miranda, zyrtarja e KLSH që i dërgonte parà mafiozit shqiptar del para Gjykatës në Bruksel

23 January 2024, 08:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Miranda, zyrtarja e KLSH që i dërgonte parà mafiozit shqiptar

Në Bruksel është zhvilluar seanca e radhës gjyqësore ndaj Miranda B., e pandehur në të ashtuquajturin Megaprocesi “Sky ECC” kundër një organizate kriminale të trafikut të kokainës të përbërë nga shqiptarë, belgë dhe kolumbianë.

Miranda B., auditore në Kontrollin e Larte te Shtetit derisa u akuzua për lidhje me organizatën kriminale, kundërshtoi të hënën para Gjykatës Penale të Brukselit akuzat ndaj saj.

Ajo pranoi se kishte mbajtur “një marrëdhënie dashurie” me vlonjatin Eridan Munoz Guerrero, i cili ka marrë mbiemrin e gruas kolumbiane, një nga organizatorët e dyshuar të çështjes, për të cilin dyshohet se ka bërë transferta parash.

Miranda B. pranoi se kishte bërë dhjetë transferta parash për Eridan Guerrero për një vlerë prej 100,000 deri në 200,000 euro. “Eridan më kërkoi të bëja diçka për të urgjentisht. E bëra pa u menduar,” tha ajo, raporton La Libre.

E pandehura ka shpjeguar se 20 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e saj në Tiranë, Shqipëri, ishin fryt i punës së saj dymbëdhjetëvjeçare. Ajo u justifikua se nuk i kishte vendosur në një llogari bankare sepse “në Shqipëri paguajmë shumë cash”.

Ajo pranoi para gjykatës se kishte hapur gjashtë llogari bankare, ndërsa u sigurua se kishte përdorur vetëm një. “Në Shqipëri, sa herë që ndryshon punë, duhet të hapësh një të tillë,” shpjegoi ajo.

E pandehura siguroi se nuk kishte më asnjë lidhje me Eridanin dhe se ishte në dijeni të veprimtarisë së këtij të fundit, si dhe origjinës së shumave të parave që ai i kërkonte të transferonte, pasi kishte lexuar dosjen. “E dija se ai punonte në ndërtim. Mendova se paratë vinin nga atje. Kishim një marrëdhënie intime, por nuk doja t’i bëja pyetje,” shpjegoi ajo.


Video