Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e regjistruar mesditën e kësaj të mërkure në fshatin Kusarth të Elbasanit, ku 58-vjeçari Tefik Tashi qëlloi me sëpatë në rrugë motrën e gruas së tij, Alma Qevani, 44 vjeçe.
Burime bëjnë me dije se autori ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka kryer krimin makabër.
Pas vrasjes, Tashi ka ecur me sëpatë në duar e ndërsa është pikasur në fshatin Bradashesh nga efektivët e policisë të cilët kanë bërë të mundur arrestimin e tij.
Mësohet se në dëshminë paraprake të dhënë për uniformat blu, 58-vjeçari ka deklaruar se aktin e rëndë e ka kryer pasi kunata Alma Qevani e kishte sharë. Fillimisht mes të dyve ka pasur një debat verbal, teksa situata është tensionuar dhe me sëpatën që kishte në dorë qëlloi drejt 44-vjeçares.
Tashi pritet të merret në pyetje sërish për të sqaruar rrethanat e ngjarjes pasi t’i dalë pija, pasi në gjendjen që është aktualisht është e pamundur.