Makina "Alfa Romeo" që u gjet tek Çapjat do përdorej në vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, planin e rrëfeu Dumani

17 August 2022, 12:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Makina "Alfa Romeo" që u gjet tek Çapjat do përdorej
Sokol Sanxhaktari, Nuredin Dumani dhe Florenc Çapja

Janë zbardhur detaje të reja nga operacioni i bastisjes së servisit të makinave në lagjen "Emin Matraxhiu" në Elbasan në pronësi të 64-vjeçarit Fejzullah Çapja, babai i të shumë kërkuarit të drejtësisë Florenc Çapja

Sipas Ora News, makina tip "Alfa Romeo" e cila është gjetur në servisin e Çapjave besohet se do perdorej nga Çapjat dhe Nuredin Dumani për të vrarë, Sokol Sanxhaktarin.

Makina rezultonte e vjedhur më 8 prill 2019 dhe në dëshminë e Nuredin Dumanit është folur për një makinë të vjedhur që i është vënë në dispizicion grupit që do të merrte pjesë në vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.

Në servis u gjetën gjithashtu dhe dy targa, të cilat gjithashtu rezultojnë të vjedhura në Elbasan, më datë 29 Qershor të vitit 2020; fishekë luftarakë; një aparat celular; një kapele me stemën e Policisë, si dhe një këllëf për mbajtjen e armëve të zjarrit.

Policia shpalli në kërkim babain e Florenc Çapjas,  duke i ngritur tre akuza, ku një prej tyre është  “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Rrëfimet e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt për porosinë e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit:

I penduari i drejtësisë flet për një ndërmjetësim që Eljo Bitri, ia ka realizuar me Çapjan. Dumani sqaron se takimi me Çapjat është kryer në periudhë e Prillit 2020, kur ai po organizonte punët për të vrarë, Altin Ndocin.

Sipas tij, Çapjat dyshonin dhe kishin krijuar bindjen se Nuredin Dumani dhe njerëzit që mbante afër, kishin kryer goditjen me antitank, ndaj Ardjan Çapjas. Dhe për të sqaruar të gjithë spekullimet, ai ka pranuar të takonte Çapjat dhe bindte ata se nuk kishte asnjë lidhje me sulmin me bazooka, pasi në kohën kur ka ndodhur krimi ai kishte qënë në burg.

“… me Eljo Bitrin, jam takuar në fshatin Sinaballaj në Rrogozhinë, pranë ambjenteve të një pike karburanti. Eli kishte kërkuar takimin, pasi ishin bërë disa kohë që nuk ishim takuar dhe gjatë bisedës që po kryenim, më tha se kishte dëgjuar se unë kisha marë pjesë tek njëri nga atentatet e Ardjan Çapjas të kryer me kundërtank. Unë e kam kundërshtuar duke i pohuar se kam qënë në burg, dhe për të sqaruar çdo spekullim pranova të takohem me Çapjat, me ndërmjetësimin e Eljo Bitrit…”-tregon Dumani.

Takimin me Çapjat, Dumani e ka kryer për ti bindur se ishte totalisht i pastër në këtë pjesë.

“…Unë kam pasur takim me Florenc Çapjan, Bledar Muçën, Eljo Bitrin dhe Vis Korçarin, i cili edhe ky ishte organizator i këtij takimi. Vis Korçari me sa di mbiemrin e ka Kollçaku dhe në atë kohë lëvizte me një Aydi A7 i ZI i 2012 dhe tani është në burg në Peqin.Takimin e kemi bërë, natën në një shtëpi të rrethuar në zonën e “Krastës…” -shprehet Dumani.

Sipas tij, ky takim ishte për ta rekrutuar Dumanin dhe jo për ti kërkuar llogari lidhur me sulmin me antitank ndaj Çapjave. Kjo pasi Çapjat e dinin që Nuredin Dumani, nuk kishte lidhje me sulmin ndaj rrethit miqësor të tyre. Në këtë takim i është dhënë oferta që Dumani të vriste Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e Qazim Sejdinit, për një shumë prej 200 mijë euro. Kjo pasi Sanxhaktari shihej si lidhje e Suel Çelës.

Vetë Dumani, tregon se në takimin e parë i është shprehur se duhet të mendonte këtë ofertë, ndërsa nga ana tjetër kontraktuesit i gargantuan pagesën, armët dhe informacionin e duhur se ku qëndronte Sanxhaktari.

Madje i arrestuari, ka rrëfyer se pas këtij takimi ka mbajtur kontaktet me Florenc Çapjan, nëpërmjet “Sky” dhe “Encochat”. Dumani shton se teksa është larguar nga Çapjat, marrëdhëniet dalë nga dalë i ka shkëputur, pasi është lidhur me Arjan Spahiun dhe Erjon Alibej.

Ndërsa në rrëfimin e tij, Henrik Hoxhaj tregoi se për Sanxhaktarin ishte marrë ‘porosia’ para se të ndodhte vrasja e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, që u eliminuan në vitin 2020. Ai tregon se Sokoli nuk lëvizte kurrë vetëm, pasi me vete kishte gjithmonë një person të armatosur që i mbronte “krahët”.

“Në lidhje me shtetasin Sokol Sanxhaktari, unë kam biseduar me Nuredinin në kohën kur ishim tek shtëpia e tij para vrasjes së vëllezërve Haxhia. Gjatë një bisede Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari që ishte dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini. E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi. Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia.

Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose mbasdite i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy. Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë. Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit.

Unë do të merrja 150 mijë euro ndërsa shoferi 50000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin”,-thuhet në dëshminë e dhënë nga Henkrik Hoxha


Video