Gazetari Arben Manaj ka folur për emisionin “Opinion” në lidhje me situatën e emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe. Ai ka lëshuar një thirrje ndaj prindërve shqiptarë që mund të kenë fëmijët në pritje për të kaluar kanalin e “La Manshit”. “Ju lutem, jo në këtë kohë”, tha ai teksa po bisedonte me gazetarin Blendi Fevziu.
Sipas Manajt, moti është i acartë në këto kohë dhe udhëtimet janë shumë të rrezikshme. Ai mori shkas nga tragjedia e fundit në kanal ku disa emigrantë u mbytën në det në përpjekje për të shkuar në Britani.
“Shqiptarët vijnë sepse normalisht është e drejta e tyre, është njerëzore. Kush jam unë t’u them atyre mos hajdeni. Është e drejta e tyre që të kërkojnë një jetë më të mirë dhe shikojnë mundësira. Plus ekziston siç tha dhe ambasadori TikTok. Unë meqë jemi në fund do doja të bëja një thirrje nëse më lejon, të gjithë prindërve shqiptarë që mund të kenë fëmijët e tyre në pritje për të kaluar “La Manshin”, ju lutem si prindër jo në këtë kohë.
Ju lutem. Këto tragjedi në këtë mot të acartë, udhëtimet janë shumë të rrezikshme. Vetë fakti i tragjedisë së fundit me gomone tregoi që u thye miti i transportimit të gomoneve nga francezët tek anglezët në mes të “La Manshit”. Të mos kishte qenë një peshkarexhë angleze dhe ata njerëz duhet të jenë heronj, që arritën t’i shpëtojnë”, u shpreh ai.