Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit do të infiltrohen në grupet kriminale dhe aktivitetet e dyshuara korruptive për të zbardhur aktivitetin e tyre dhe për të ndihmuar hetimin e rasteve për ti dërguar para drejtësisë.
Ministria e Brendshme ka hartuar një program buxhetor për 3 vitet e ardhshme që synon rritjen e efikasitetit kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Një fond prej 195 milionë lekësh është përcaktuar për tu përdorur për mbulimin e shpenzimeve të infiltrimeve në vitet 2023, 2024 dhe 2025.
Plani i punës ngarkon Policinë e shtetit, SPAK dhe SHISH-in si institucionet përgjegjëse për zbatimin e programit.
Ndërkaq një kosto prej 42 milionë lekësh për 3 vitet e ardhshme do të shkojë për rritjen e kapaciteteve logjistike.
Para të konfiskuara do të përdoren për sistemimin e zyrave ose hapjen e zyrave të reja.
Ministria e Brendshme ka hartuar dhe një plan për ngritjen e një platforme për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilave iu bie vlera gjatë fazës së sekuestrimit, ndërsa buxheti për tri vitet e ardhshme është parashikuar në 2.8 milionë lekë.
Për përmirësimin e elementeve funksionale të regjistrit elektronik për pasuritë e sekuestruara do të ketë një buxhet të veçantë i parashikuar deri në 1.4 milionë lekë, raporton OraNews.
Kostoja totale shkon në rreth 460 milionë lekë, të cilat do të financohen nga qeveria.