Kryeministri Edi Rama ishte sot pasdite në ceremoninë e 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës, ku edhe ka mbajtur një fjalim të gjatë, rreth 14 minuta.
Fjalën e tij ai e nisi duke thënë se nuk i pëlqen të merret me njerëz që besojnë se bota është e sheshtë, apo me teori të këtij lloji dhe se këto ia ka lënë kryetarit të baskisë, Erion Veliajt.
Megjithatë ai shtoi se diçka shumë e çuditshme ishte se Universiteti i Tiranës është universiteti më i vjetër në Shqipëri dhe feston 65-vjetorin, ndërsa pak ditë më parë ishte në ceremoninë e 75-vjetorit të Universiteti të Mjekësisë, gjë që sipas tij është më e çuditshme se “bota e sheshtë”.
“Mirëmbrëma të gjithëve, mua më kanë lënë për në fund, meqë flas shkurt. Dallohem për fjalime shumë të shkurtra. E ndiej dhimbjen e atyre që janë në këmbë, që kur ka filluar kjo natë e gjatë. Do bëj çmos që t’i shmangem fjalëve të shkruara për të thënë disa pak gjëra, pa hyrë në botën e Erionit për botën e sheshtë apo për çipet në vaksinë. Për fat të keq apo të mirë, nuk jemi vetëm në këtë, e mban Amerika flamurin e njerëzve që besojnë në budallallëqe, ndërkohë që numri i njerëzve që sot në botë besojnë në teoritë e konspiracionit është rritur, qysh me aksesin e rritur në botën e informacionit, por kjo është një temë që nuk e zgjidh dot as qeveria as universiteti, bashkia mund ta zgjidhi jam i bindur. Kemi shumë besim që me votën që do i japim Erionit do kemi më pak njerëz që besojnë se bota është e sheshtë.
Së pari urime për këtë përvjetor! Në fakt jetojmë në një botë të çuditshme sepse ky është Universiteti i parë i Tiranës dhe i Shqipërisë dhe feston 65 vjetorin, para disa ditësh unë isha në 70-vjetorin e Universitetit të Mjekësisë. Universiteti i mjekësisë nuk është i vetmi që feston 70-vjetorin, megjithëse mua më rezulton se ka lindur pas vitit 90. Ka dhe të tjera universitete që më kanë nisur ftesa për 70-vjetorin. Ky universitet është i pari e njëkohësisht më i riu, kjo është më e komplikuar se bota e sheshtë. Duke qenë më i riu ka dhe kuadrin më legjendar profesor Ismetin që është mbi 100 vjeç”, tha Rama.
Ndërkohë, duke nisur nga viti i ardhshëm, qeveria do të nisë projektin për të diferencuar pagat e pedagogëve. Kjo është bërë e ditur nga kryeministri Edi Rama i gjatë ceremonisë së sotme.
Rama mes të tjerash u shpreh se me këtë proces synohet që të vlerësohen më shumë financiarisht ata pedagogë që japin më shumë për universitetin. Rama u shpreh se për rritjen e pagave të pedagogëve të dalluar do të kontribuojë edhe qeveria, por edhe vetë universiteti.
Rama u shpreh se, “u bë rritje e nevojshme e pagave me fondet e universitetit dhe me fondet e qeverisë për të arritur atë objektiv që kishim. Dhe ndërkohë ne po përgatitemi bashke me këtë forumin që kemi krijuar me rektorët për të parë disa konkluzione të një raporti mbi situatën aktuale dhe mbi ku duam që të shkojë Universiteti në 2030-ën. Duam ta bëjmë këtë gjë bashkërisht jo si vizion, por si një projekt konkret, me hapa konkret në kalendar. Dhe një nga elementët për të cilin ne nga ana jonë si qeveri po përgatitemi është që të diferencojmë pagat. Të diferencojmë pagat në kuptimin, të diferencojmë kontributet nga ana e qeverisë, nga ana e buxhetit, për të vlerësuar më shumë cilësinë. Për t’i dhënë më shumë mundësi atyre që japin më shumë. Dhe për t’i dhënë fund uniformitetit në mbështetjen financiare për vlerësimin e trupës pedagogjike. Kjo është shumë e rëndësishme sipas nesh dhe për këtë po punojmë dhe besoj që qysh prej vitit të ardhshëm do të japim një shembull konkret sesi kjo do të bëhet. Që do të thotë që do të kemi përsëri një kontribut nga ana jonë për rritjen e pagave të pedagogëve”.
Rama shtoi se, “kjo rritje nuk do të jetë uniforme dhe ndërkohë do t’i lejojmë hapësirë Universitetit të Tiranës në radhë të parë, por dhe të tjerëve, Universiteti i Mjekësisë për shembull, në këtë rast është model, për të përdorur më shumë nga fondi i tyre në rast se duan të rrisin më shumë pagat e pedagogëve”.