Ishin shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, arrestohen në Tiranë Erion Allciu dhe Frenki Fezollari

14 August 2026, 14:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ishin shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, arrestohen

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të shpallur në kërkim për ngjarje të ndryshme, njëra prej tyre e lidhur me konfliktin me armë të ndodhur dy ditë më parë në kryeqytet.

Në pranga ka rënë Frenki Fezollari, 32 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim pas konfliktit të ndodhur rreth mesnatës së 11 gushtit në rrugën “Gjolekë Kokona”, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri. Ai dyshohet për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve”.

Nga hetimet për ngjarjen, policia ka identifikuar 10 persona të përfshirë në konflikt. Katër prej tyre janë arrestuar, katër janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa dy të tjerë ishin shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti nisi pasi Rezar Zaimi, 28 vjeç, kishte fyer një 17-vjeçar. Pas përplasjes verbale, i mituri dhe miqtë e tij janë konfliktuar fizikisht me Rolf Fezollarin dhe vëllain e tij, Stiven Fezollarin, si dhe persona të tjerë.

Më pas, 17-vjeçari dhe shokët e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së vëllezërve Fezollari. Në këtë moment, dyshohet se Frenki Fezollari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve. Nga të shtënat nuk raportohet të ketë persona të dëmtuar.

Në kuadër të operacionit, në pranga kanë rënë më herët Rezar Zaimi, 28 vjeç, Kevin Kocibellinj, 31 vjeç, Stiven Fezollari, 24 vjeç dhe Rolf Fezollari, 34 vjeç, për vepra të ndryshme penale që lidhen me përkrahjen e autorit, moskallëzimin e krimit dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Ndërkohë, policia ka arrestuar edhe Erion Allciun, 19 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se, për motive të dobëta, në rrugën “Kastriotët”, Tiranë, ka dëmtuar me mjet prerës shtetasin E. L., 36 vjeç.

Në vendngjarje, policia ka sekuestruar një thikë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


Video