I shpalluri në kërkim për disa vrasje në Shkodër, Ibrahim Lici ka reaguar pas lajmeve se ai është arrestuar para pak ditësh në Turqi.
Përmes një audio-mesazhi të dërguar për mediat, Lici shprehet se nuk ka asgjë të vërtetë mbi ato lajme dhe se ai është i lirë.
Ai mohon të jetë autori i vrasjes së Endri Mustafës në zonën e Livadheve në maj të vitit 2021 si dhe për vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019 dhe për ta vërtetuar këtë, shton më tej se ka dorëzuar provat në Prokurori.
Ai thotë se jeton i lirë në Turqi dhe i kërkon Policisë që të reagojë mbi lajmet e arrestimit se kur dhe ku e ka arrestuar.
"Jam i lirë. Nuk jam arrestuar. Lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohem për vrasjen e Endri Mustafës, kam dorëzuar kamerat në Prokurori dhe qelizat telefonike që vërtetojnë që unë kam qenë në Tiranë në momentin që ka ndodhur krimi.
Kjo është e vërtetuar me pamje dhe qeliza telefonike. Unë pres vendimin e gjykatës për të zbardhur ngjarjen dhe për të çuar përpara drejtësisë autorët e vërtetë. Edhe për vrasjen e vëllezërve Bilali nuk kam qenë asnjëherë nën hetim nga Prokuroria dhe jam shpallur në kërkim nga policia, pra në kërkim policor si person për t’u marrë në pyetje vetëm se nuk jam gjetur në banesë.
Nuk kam patur asnjëherë konflikt me vëllezerit Bilali. Shumë e çuditshme të kërkohet ekstradimi im në një kohë që nuk jam arrestuar dhe i bëj thirrje policisë të dalin në deklaratë se ku dhe kur më ka arrestuar sepse unë jam i lirë dhe në pritje në drejtësisë. Jetoj i lirë në Turqi dhe pres të zbardhet ngjarja. Fotot e mia tregojnë qartë jetën e lirë që bëj në shtetin turk." shprehet Ibrahim Lici.
Ibrahim Lici ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare për vrasjen e Endri Mustafës në zonën e Livadheve në maj të vitit 2021 si dhe për vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019.
Këto krime dyshohet se kanë ardhur si pasojë e përplasjeve mes dy grupeve Lici dhe Bajri në Shkodër.
Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla.
Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.
Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave.
Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri që aktualisht janë të arrestuar dhe po ashtu ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lul Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre.
Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustaf Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri pas vrasjes së ish-policit Bërcana.
Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici, ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë.
Pa kaluar shumë ditë, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë, pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës.
Më 14 nëntor vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”. Më 20 mars ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë.
Në shtator të 2019, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, djali dhe nipi i viktimave të atentatit të së shtunës, u arrestuan në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë.
Saga e vrasjeve vazhdoi me vrasjen e Endri Mustafës në maj të vitit 2021.
Po ashtu, Ibrahim Lici është prangosur më herët si “truri” i një grupi gjobëvënësish ndaj tregtarëve. Ai u akuzua se ishte në krye të bandës së përbërë nga 9 persona, që terrorizonin tregtarët në Shkodër. Ibrahim Lici është djali i Mustafa Licit, ish-anëtar i këshillit bashkiak të Shkodrës.