
Policia e Shkodrës dhe Forcat Speciale RENEA kanë arrestuar Agim Gjatën, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me rekorde të theksuara kriminale, në fushat e krimeve ndaj personit dhe të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë aksionit të policisë, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të efektivëve, por është neutralizuar dhe vënë në pranga.
49-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe ishte i dënuar më parë për vrasje, ndërsa janë sekuestruar 2 armë zjarri, kallashnikov dhe pistoletë, municion luftarak dhe dylbi.
Si ekzekutoi Agim Gjata fqinjin në 2011:
9 vite pasi vrau Ndoc Çelikun, Agim Gjata u arrestua sot nga RENEA dhe efektivët e Policisë së Shtetit. Asokohe 38 vjeç ngjarja shokoi banorët e fshatit Barbullush në Komunën e Bushatit në Shkodër. “A e di se kush është më i fortë këtu?”. Kjo mendohet se ka qenë edhe fjalia që ka ndezur sherrin mes të dyve.
Grindja ka nisur fillimisht me fjalë më pas është vijuar me një përplasje fizike për tu mbyllur me një vrasje. Mbrëmjen e 19 qershorit 2011, Ndoc Çeliku 61 vjeç dhe Agim Gjata, 38 vjeç kanë nisur të debatojnë me njëri tjetrin. Fjalia nuk ësdhtë pritur mirë nga Gjata që ka vendosur të marrë kallashnikovin dhe ti ngrejë pritë fqinjit.
Në orën 23:40 të mbrëmjes, sapo e ka pikasur se 61-vjeçari po i afrohej banesës, Gjata e ka qëlluar me breshëri automatiku duke e lënë të vrarë në vend. Më pas ai është larguar nga vendngjarja duke përfituar nga erësira e natës. Kur banorët e fshatit Barbullush gjetën viktimën ata panë se ishte i përgjakur dhe në dorë kishte një levë hekuri, me gjasë për tu mbrojtur.
Pasi u arrestua, autori deklaroi se ishte qëlluar me levë hekuri nga viktima dhe në gjaknxehtësi e sipër kishte marrë armën e zjarrit për të vënë “nderin” në vend. Ajo që nuk kuptohet qartë është arsyeja e lirimit në kohë kaq të shkurtër e autorit që ka vuajtur më pak se 10 vite burg për vrasjen e fqinjit e tashmë arrestohet për armëmbajtje pa leje.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Neutralizimi”, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me rekorde të theksuara kriminale, në fushat e krimeve ndaj personit dhe të armëmbajtjes pa leje.
Qëlloi me armë zjarri ndaj shërbimeve të Policisë në momentin e ndërhyrjes për kapjen e tij, falë profesionalizmit të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, neutralizohet dhe vihet në pranga 49-vjeçari.
49-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe ishte i dënuar më parë për vrasje.Sekuestrohen 2 armë zjarri, kallashnikov dhe pistoletë, municion luftarak dhe dylbi.
Shërbimet e Policisë Kriminale të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë të Vau Dejës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, po futej në banesë, kanë finalizuar, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, operacionin policor të koduar “Neutralizimi”.
Në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën dhe i kanë bërë thirrje shtetasit, në emër të Policisë së Shtetit, për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë.
Me ndërhyrjen profesionale dhe në zbatim të ligjit, të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, u bë i mundur neutralizimi i shtetasit që qëlloi me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë. Si rezultat i operacionit “Neutralizimi” u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, A. Gj., 49-vjeç, banues në Barbullush, i dënuar më parë për vrasje.
Shërbimet e Forcës Speciale RENEA i kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe gjatë kontrollit, i kanë gjetur dhe i kanë sekuestruar 49-vjeçarit edhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./VoxNews