Porositësi i 137 kg kokaine? Arrestohet biznesmeni Gentian Malindi

27 October 2022, 14:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Porositësi i 137 kg kokaine? Arrestohet biznesmeni Gentian Malindi
Në foto: Gentian Malindi

Arrestohet në Vorë biznesmeni Gentian Malindi, të cilin Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion e ka marrë të pandehur, pasi dyshohet si porositësi i 137 kg kokainë të kapur në Portin e Durrësit. Deri më sot ai ishte në arrati.

Malindi ishte në kërkim pas operacionit të zhvilluar në Durrës ku u kapën 137 kg kokaine, në 2019. Kujtojmë se më 19 shtator të 2019 në Portin e Durrësi, në anijen “Eniway” u gjetën 173 kg kokainë, Ndërsa Gentian Malindi ishte pronari i anijes.

Ngjarja:

Droga ishte nisur nga Ekuadori dhe u pikas në portin e Pireut në Greqi, dhe më pas përfundoi në portin e Durrësit. Bëhet fjalë për 4 kontejnerë me banane dhe në brendësi të tyre kanë qenë 137 kilogramë kokainë. Kontejnerët u zbuluan në Pire, aty ku policia greke gjeti drogën e nisur nga Ekuadori.

Në 4 kontejnerët me destinacion Shqipërinë, policia ka patur të dhëna se në tabanin e dyshemesë së tyre ka patur kokainë. Policia greke nuk ka ndërhyrë, por ka dhënë informacion tek pala shqiptare.

Kontejnerët kanë ardhur në Shqipëri, dhe prokuroria shqiptare, bashkë me policinë, kanë hequr drogën dhe kanë vendosur pako me oriz dhe GPS (gjurmues lokalizator).

Pas tri ditësh, në Portin e Durrësit kanë shkuar dy personat, Gentian Maldini dhe Altin Myslimhaka, të cilët po prisnin të merrnin drogën, por në vend të kokainës kanë marrë orizin.

Njoftimi

Vijon operacioni policor i koduar "Kuito", për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike. Vihet në pranga 46-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, i cili qarkullonte me dokumente identifikimi të falsifikuara.

46-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”, pasi dyshohet si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se do të trafikonte drejt Shqipërisë, 137 kg lëndë narkotike kokainë, në vitin 2019.

Sekuestrohen shuma parash, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, që ky shtetas i mbante me vete, si dhe automjeti i tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe të Krimit Ekonomik, të DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Në afërsi të Urës së Gjolës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar shtetasin G. M., 46 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. M., për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal", në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Kuito”.

Operacioni ndërkombëtar i koduar "Kuito" u finalizua në shtator 2019, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese greke, në koordinim me zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Shtetasi G. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës (të arrestuar në shtator 2019), do të priste në Durrës, 137 kg lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua gjatë operacionit.


Video