Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj shtetasit O.L., i cili ndodhet nën hetim për shitje të lëndëve narkotike një shtetaseje të mitur.
Prokuroria e Sarandës informon se procedimi penal ndaj O.L. është regjistruar më 18 maj 2025, me akuzën për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, sipas nenit 283/1 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve paraprake, O.L. dyshohet se i ka shitur kokainë një shtetaseje të mitur, e cila pas konsumimit ka shfaqur probleme shëndetësore.
Masa e sigurisë u ekzekutua më 26 maj në Tiranë, ku i dyshuari u ndalua nga strukturat e Policisë, ndërsa më 27 maj, Prokuroria kërkoi verifikimin e kushteve ligjore dhe vijimin e masës.
Gjykata, në seancën e zhvilluar ditën e mërkurë, vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, duke e mbajtur O.L. në paraburgim për vijimin e hetimeve.
Prokuroria e Sarandës thekson se rasti paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, për shkak të përfshirjes së një të miture dhe lëndëve narkotike, dhe do të vijojë hetimin për dokumentimin e plotë të ngjarjes.