Goditet aktiviteti i mashtrimit me Call-Center te 'Rruga e Elbasanit'/ Arrestohet administratori, 13 të tjerë nën hetim!

31 January 2025, 13:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Goditet aktiviteti i mashtrimit me Call-Center te 'Rruga e Elbasanit'/
Call-Center

Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion kundër Call-Center. 

Forcat blu ka zbuluar një pikë që përdorej për mashtrime përmes bursave fiktive. 

Arrestohet administratori i subjektit, ndërsa janë marrë në hetim edhe 13 punonjës të tjerë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit operacioni policor i koduar “Location”.

Zbulohet një ambient i përshtatur si call-center, me anë të cilit mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

Vihet në pranga administratori i ambientit dhe procedohen 13 operatorë, mes tyre dhe shtetas të huaj.

Sekuestrohen pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe mjete pune që përmbanin të dhëna të ndryshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Location”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 39 vjeç.

Shtetasi R. L., administronte një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Themistokli Gërmenji”, të cilin e kishin përshtatur si call center.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, janë kapur në flagrancë 13 operatorë gjatë kohës që mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

 


Video